Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duke komentuar zgjedhjet në veri të vendit, ka deklaruar se institucionet e Kosovës i mundësuan qytetarëve realizimin e të drejtës për pjesëmarrje në zgjedhje dhe treguan se grupet kriminale që janë të dirigjuara nga Serbia nuk mund t`i diktojnë proceset kushtetuese e ligjore në Republikën e Kosovës.
Ajo pas takimit me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka përgëzuar Komisionin Qendror Zgjedhor për përgatitjet e bëra, të cilat mundësuan realizimin e procesit të votimit për zgjedhje të jashtëzakonshme komunale në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
“Falënderoj poashtu të gjitha institucionet e sigurisë për punën profesionale, të cilat siguruan një ambient të qetë e të sigurt përgjatë procesit zgjedhor, i cili ishte shtyrë nga dhjetori 2022 për në prill 2023. Institucionet e Kosovës i mundësuan qytetarëve realizimin e të drejtës për pjesëmarrje në zgjedhje, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe treguan se grupet kriminale që janë të dirigjuara nga Serbia nuk mund t`i diktojnë proceset kushtetuese e ligjore në Republikën e Kosovës. Falënderoj të gjithë ata qytetarë që morën pjesë në votim, përkundër ndërhyrjes së paligjshme të Serbisë dhe strukturave të saj kriminale për ta pamundësuar një gjë të tillë. Si rrjedhojë e këtyre veprimeve kriminale, shumë qytetarë serb të këtyre komunave u kërcënuan dhe u shantazhuan me qëllim që mos të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe kësisoj të mos mund ta shprehin vullnetin politik për t`i zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal. Ndërhyrja nga jashtë në procese zgjedhore është një problem global për botën demokratike, e cila jo vetëm që mëton ta minojë vullnetin qytetar, por edhe cenon parimin e barazisë sovrane të shteteve, si një nga normat themeltare të rendit ndërkombëtar”, ka thënë ajo.
Sipas Osmanit, Republika e Kosovës ka shprehur zotimin e saj në Samitin për Demokraci, të organizuar nën përkujdesin e Presidentit Biden, për të qëndruar krah përkrah me shtetet demokratike për ta luftuar dukurinë në rritje të ndërhyrjes nga jashtë në procese zgjedhore.
“Angazhimi i vazhdueshëm dhe i hapur i Serbisë për ta penguar zhvillimin e zgjedhjeve të lira në Republikën e Kosovës është kundër frymës dhe shkronjës së Marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel, së bashku me planin implementues. Si e tillë, kjo qasje e Serbisë duhet të kundërshtohet nga e gjithë bota demokratike, meqë njëkohësisht paraqet edhe akt të ndërhyrjes së paligjshme nda jashtë, akt ky që dënohet me një sërë aktesh juridike ndërkombëtare. Institucionet e Kosovës do t`i shtojnë përpjekjet dhe do t’i qëndrojnë pranë të gjithë qytetarëve në katër komunat e veriut të Kosovës, në mënyrë që të mbrohen nga kërcënimet e strukturave ilegale. Institucionet e Kosovës poashtu do t`i bashkërendojnë veprimet me aleatët strategjik për t`i ndaluar veprimet e mëtejme destabilizuese të Serbisë, të cilat janë edhe në kundërshtim me marrëveshjen e fundit të Brukselit. Jemi të vendosur që së bashku me qytetarët e këtyre komunave të punojmë për kushte gjithnjë e më të mira jetese, më shumë demokraci dhe mirëqenie në secilën lagje të secilës komunë”, ka thënë Osmani.