Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se Beogradi po e kërcënon sigurinë e Ballkanit Perëndimor, duke përdorur forcat që bashkëpunojnë me grupin Wagner.
“Mentaliteti hegjemonist i Beogradit është shumë i ngjashëm me qasjen që ka Rusia, kur beson se po kthehet në epokën perandorake dhe po merr territore nga vendet fqinje. Dhe Serbia luan sipas skemës së Putinit. Paqësimi me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq nuk është rruga përpara, ne e kemi parë tashmë me Millosheviçin në fillim të viteve 1990, kur disa e konsideronin atë një paqebërës. Vendet demokratike duhet t’i japin Beogradit një mesazh të qartë: nuk do të lejojnë që rajoni të tërhiqet në prag të një konflikti tjetër. Për shkak të kësaj, prania e NATO-s është jashtëzakonisht e rëndësishme. Rusia dëshiron të zhvendosë vëmendjen e Perëndimit në Ballkanin Perëndimor, për ta larguar atë nga Ukraina. Dhe Serbia kërcënon sigurinë e saj duke përdorur forcat që bashkëpunojnë me Grupin Wagner, blejnë armë ruse dhe dërgojnë paraushtarakë në veri të Kosovës për të ngritur barrikada dhe për të krijuar tensione”, ka thënë Osmani për gazetën italiane, “Corriere Della Sera”.
Presidentja ka deklaruar se nuk mund të japë detaje, sepse janë informacione të klasifikuara, por “ne punojmë me aleatët tanë perëndimorë për të siguruar që këto paraushtarakë të lidhur me Wagnerin të dështojnë në planin e tyre për të destabilizuar Kosovën”.
E pyetur se pse kriza Kosovë-Serbi ka shpërthyer tani, Osmani ka renditur disa arsye.
“Për disa arsye. Para së gjithash, po rritet ndikimi rus në Serbi: Beogradi ka dhënë dritën jeshile për hapjen e të ashtuquajturave qendra humanitare ruse, të cilat sipas SHBA-së nuk janë gjë tjetër veçse qendra spiunazhi dhe e kanë shndërruar kufirin me Kosovën në një strehë për ata që janë nën sanksione evropiane. Arsyeja e dytë ka të bëjë me bandat e veriut të Kosovës të paguara, të mbështetura, të nxitura, të armatosura nga Vuçiq: kriminelët serbë që prej kohësh janë në listat e zeza të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, ajo që quhet mafia ballkanike dhe që nuk e pëlqen vendosmërinë me të cilat ne po e luftojmë dhe prandaj përdorim dhunë ndaj nesh. Vuçiq ju takon. Ajo luan rolin e mbretëreshës së dramës, është edhe zjarrvënëse edhe zjarrfikëse: fillimisht i përdor këto banda për të na destabilizuar, pastaj shkon vërdallë duke folur për paqen”, ka thënë ajo.
E pyetur rreth marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Osmani ndër të tjera, është shprehur se Serbia tani për tani dëshiron vetëm të krijojë krizë pas krize.