UBT News

Osmani: Sakrifica e Jasharëve është udhërrëfyesi ynë për shtetin

Në kuadër të shënimit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë sot homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz, duke nderuar rënien e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari.

Gjatë vizitës në këtë vend historik, Presidentja theksoi rëndësinë e kujtesës kolektive.

“Në Kompleksin Memorial në Prekaz, çdo hap është histori, çdo gur është sakrificë. U përkulëm me nderim para altarit të lirisë, para komandantit legjendar Adem Jashari dhe para familjes që i dha Kosovës gjithçka. Sakrifica e tyre do të mbetet udhërrëfyesi ynë në çdo hap që bëjmë për shtetin dhe të ardhmen tonë”, shkruan Osmani.

Gjatë qëndrimit të saj në Prekaz, Presidentja u prit nga Rifat Jashari, të cilin e vlerësoi si simbol të qëndresës dhe dinjitetit kombëtar.

Ajo shprehu mirënjohjen e saj për këtë mikpritje, duke nënvizuar se mesazhi që buron nga kjo familje nuk do të shuhet kurrë. “Mirënjohje të thellë për pritjen e ngrohtë nga Baca Rifat, simbol i qëndresës dhe i dinjitetit të kësaj familjeje legjendare. Nga Prekazi buron një mesazh që nuk shuhet kurrë: Liria nuk është dhuratë, por amanet,” deklaroi Osmani, duke shtuar se ky amanet do të jetojë përjetë në zemrat e të gjithë shqiptarëve.

Exit mobile version