UBT News

Osmani: Rreshtimi me Amerikën në Bordin e Paqes forcon subjektivitetin dhe zërin ndërkombëtar të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka treguar se çfarë do të thotë për Kosovën përfshirja në Bordin e Paqes të themeluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe cilat janë obligimet, përgjegjësitë dhe përfitimet që mund t’i ketë.

Në këtë një intervistë për “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, Osmani ka folur për takimin e saj me Presidentin Donald Trump, raportet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe mundësitë për një diplomaci të re, përfshirë edhe angazhimin me shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes si një nga zhvillimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit në vitet e fundit, duke theksuar se ky hap e fuqizon drejtpërdrejt subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

“Anëtarësimi i Kosovës në secilën organizatë ndërkombëtare është lajm i mirë për vendin tonë, e në veçanti kur po flasim për një organizatë ndërkombëtarë që udhëhiqet nga aleati ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shteti kryesor që nëpërmjet ndihmës, bashkërendimit dhe udhëheqjes, lidershipit të vet ia ka bërë Kosovës të mundur lirinë, pavarësinë, demokracinë dhe paqen që e gëzojmë”, tha Osmani me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Ajo tha se është krejtësisht i natyrshëm rreshtimi politik i Kosovës me aleatin e saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa herë që ka nisma të tilla të rëndësishme ndërkombëtare.

Osmani ka treguar detaje lidhur me ftesën për Kosovën si shtet themelues i kësaj organizate ndërkombëtare të themeluar nga SHBA me Presidentin Trump, çka sipas saj përbën një vlerësim të jashtëzakonshëm për shtetin dhe qytetarët e Kosovës.

“Kosova është vlerësuar nga ShBA. Ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm i popullit tonë dhe i shtetit tonë si faktor i rëndësishëm për paqe dhe stabilitet, jo vetëm në rajon, por edhe përtej. Në anën tjetër, kjo fuqizon subjektivitetin e pozicionin ndërkombëtar të shtetit”, deklaroi Osmani.

E para e shtetit sqaroi se pjesëmarrja në Bord i jep Kosovës mundësi të ketë zë të barabartë në vendimmarrjen ndërkombëtare, si dhe hap dyer të reja diplomatike, përfshirë edhe me shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Na jep mundësi që të kemi zërin tonë të barabartë në tavolina të vendimmarrjes dhe në të njëjtën kohë na jep qasje te shumë shtete që ende nuk e kanë njohur Kosovën”, theksoi Presidentja.

Ajo shtoi se gjatë ceremonisë së themelimit të Bordit të Paqes ka pasur takime dhe komunikime të drejtpërdrejta me liderë të shumë shteteve, përfshirë edhe vende mos njohëse, të cilat, sipas saj, e kanë parë përfshirjen e Kosovës si një mesazh të fortë politik.

Presidentja sqaroi gjithashtu se anëtarësimi në këtë Bord nuk sjell obligime financiare të detyrueshme për Kosovën, pasi kontributet janë vullnetare dhe çdo angazhim i mëtejmë do të kalojë përmes Kuvendit.

Osmani konfirmoi se marrëveshja do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim sapo ky institucion të konstituohet, me qëllim që procesi të ketë legjitimitet të plotë kushtetues dhe politik.

Duke folur për mesazhin që kjo përfshirje dërgon në arenën ndërkombëtare, Osmani tha se anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes është një konfirmim i pathyeshmërisë së shtetësisë së Kosovës

Exit mobile version