UBT News

Osmani: Roli i grave e ka shtyrë përpara paqen në vendin tonë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i ka quajtur pjesë e kyçe e historisë së Kosovës në të gjitha fazat e saj gratë në Kosovë.

Në Konferencën rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor”, presidentja Osmani ka thënë se Kosova e meriton të jetë pikë reference në hartën globale sa i përket angazhimit në drejtim të jetësimit të agjendës për gratë.

“Në bosht të historisë sonë, të popullit tonë, në fazat e ndryshme të saj, si në kohën e rezistencës paqësore ashtu edhe gjatë luftës së UÇK-së, edhe pas luftës në procesin e ndërtimit të paqes, në procesin e shtetndërtimit, edhe sot ndërsa forcojmë pozitën tonë në arenën ndërkombëtare, ka qenë roli i grave që ka shtyrë përpara paqen dhe sigurinë në vendin tonë”, ka thënë ajo.

Presidentja ka deklaruar se pjesëmarrja e grave në proceset e paqes dhe sigurisë s’është veç çështje barazie dhe drejtësisë, por është gurthemeli për arritjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në vend, rajon dhe më gjerë.

“Kabineti im me përkrahjen e zyrës së sekretarit Blinken do të themelojë qendrën e ekselencës, e cila është bërë pjesë e strategjisë së SHBA-ve për gratë, paqen dhe sigurinë. Pres që në kuadër të kësaj zyre të konsolidojmë gjithnjë e më shumë partneritete të reja dhe të jetësojmë nisma e projekte që fuqizojnë rolin e parlamenteve dhe rolin e grave në to”, ka thënë ajo.

Gratë në rrafshin global sipas presidentes së Kosovës, luajnë rol vendimtar për ndërtimin e mirëkuptimit dhe sigurimit që marrëveshjet e paqes të jenë gjithëpërfshirëse.

“Kur gratë përfshihen në procese të paqes, marrëveshjet e vijnë më shpejt por kanë edhe qëndrueshmëri më afatgjatë. Gratë sjellin perspektiva, strategji dhe zgjidhje unike në tryezë që shpesh anashkalohen në mjediset e dominuara nga burrat”, ka shtuar Osmani.

Exit mobile version