Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk ka dashur të komentoj deklaratën e ish-bashkëpartiakës së saj dhe kryetares së Listës Guxo, Donika Gërvalla për kreun e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, lidhur me “gjeneral të vetëshpallur”.
“Nuk përcjelli deklarata të tilla”, tha shkurt Osmani kur u pyet si e vlerëson deklarimin e Gëvallës.
Etiketimi i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj si “gjeneral i vetëshpallur” të cilin ia bëri ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, Lëvizjes Vetëvendosje i kushtoi 10 mijë euro. Ky është edhe dënimi më i rëndë që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ia shqiptoi këtij subjekti politik me vendimet e 29 janarit 2025.
Ajo gjatë fjalimit të saj tha se opozita “nuk dinë dhe nuk duan të qeverisin në Kosovë,” teksa kandidatin për kryeministër nga koalicioni për Kosovën Fituese Ramush Haradinaj e ka quajtur “hero të Çakorrit” dhe “gjeneral të vetëshpallur”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti, me rastin e 28 vjetorit të rënies së tij dhe dy heronjve të tjerë Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
Osmani kujtoi sakrificën, trimërinë dhe guximin e heronjve të Kosovës, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, derisa u shpreh se “ata u bënë lajmëtarët e lirisë dhe inspiruan breza të tëra të UÇK-së t’i bashkohen luftës çlirimtare”.
E para e vendit u shpreh se liria dhe sovraniteti për të cilën sakrifikuan heronjtë, duhet të mbrohen vazhdimisht.
“Sot së bashku me të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës sovrane, të lirë e të pavarur kujtojmë sakrificën e jashtëzakonshme, trimërinë dhe guximin e heroit të Kosovës, Zahir Pajaziti, i cili me bashkëluftëtarët Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha u bënë lajmëtarët e lirisë tonë, të cilët dhanë jetën jo vetëm për lirinë e Kosovës, por në të njëjtën kohë inspiruan dhe breza të tërë të UÇK-së t’i bashkohen luftës tonë çlirimtare. Të luftojnë për Kosovën, për popullin e saj, për lirinë e kësaj toke deri në çlirim përfundimtar i cili erdhi në qershor 1999. Ideali për të cilin luftoi Zahir Pajaziti me shokë duhet të na shërbejë sidomos ne ditët e sotme, sepse liria e sovraniteti nuk janë të mirëqena. Ato vazhdimisht duhet të mbrohen e të mirëmbahen”, tha Osmani.
Homazhe bënë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministra dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit të tij.
Po ashtu, pranë shtatores së Zahir Pajazitit në Prishtinë bënë edhe krerë të partive politike bashkë me kandidatë për deputetë.
Më 31 janar 1997 ndodhi njëra nga betejat e para madhore të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Tre strategët, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha ishin duke udhëtuar nga Prishtina në drejtim të Vushtrrisë, derisa grupi i tyre zbulohet nga sigurimi serb, të cilët kishin vënë pritë në fshatin Pestovë, ku të tre bien heroikisht në luftë me ta.