Presidentja Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës së punës në Gjermani, ka takuar homologun e saj gjerman Frank-Walter Steinmeier, me të cilin ka diskutuar mbi thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, si dhe avancimin e integrimit të vendit tonë në organizatat ndërkombëtare.
Osmani shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën në procesin e lirisë dhe shtet-ndërtimit, por edhe në rrugën euroatlantike.
“Kosova dhe Gjermania kanë një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm të bazuar në vlerat e përbashkëta të demokracisë, paqes dhe progresit. Gjermania është aleate strategjike në rrugëtimin e Kosovës drejt fuqizimit dhe integrimit ndërkombëtar, ndaj presim që ta forcojmë edhe më tej këtë partneritet në vitet në vijim”, tha Osmani.
Procesin e Berlinit, e para e vendit e ka cilësuar shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Ajo në këtë kontekst ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dala nga ky proces.
Osmani ka potencuar rolin dhe kontributin e mërgatës shqiptare në Gjermani, e cila është urë e fuqishme për raportet ndërmjet dy shteteve.
Të dy presidentët diskutuan gjithashtu dhe potencialin për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të dyanshëm.