Presidentja Osmani u takua me Molly Montgomery, zëvendës ndihmës sekretare në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euro-Aziatike të Departamentit të Shtetit të SHBA
Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim zëvendës ndihmës sekretaren e Byrosë për Çështje Evropiane dhe Euro-Aziatike të Departamentit Amerikan të Shtetit, Molly Montgomery, për të diskutuar me të për marrëdhëniet Kosovë-SHBA dhe çështjen e qytetarëve afganë me qëndrim të përkohshëm në Kosovë.
Sipas njoftimit nga Presidenca, Osmani falënderoi zëvendës ndihmës sekretaren për kontributin e vazhdueshëm dhe shumë të çmuar të qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhënë Kosovës dhe rajonit, si dhe shprehu dëshirën e madhe për të rritur nivelin e angazhimin në një sërë çështjesh nga siguria deri tek diplomacia.
Presidentja Osmani përsëriti edhe një herë se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë pranë aleatit tonë më të madh dhe më të besueshëm dhe se vendimi për afganët ishte vetëm një dëshmi e përkushtimit tonë në këtë marrëdhënie. Ajo e informoi zëvendës ndihmës sekretaren se ky vendim nuk ishte vetëm politik, por ishte edhe moral dhe se njerëzit në mbarë Kosovën ishin krenarë që mundën të kontribuonin në këtë ndërmarrje humanitare.
Osmani tha se kjo administratë, e udhëhequr nga presidenti Biden, me të vërtetë e kupton Kosovën dhe se ka besim se kjo do t’i afrojë të dy vendet në bashkëpunim në të gjitha fushat, veçanërisht në rrugën tonë euroatlantike. Në veçanti, Presidentja Osmani shprehu aspiratën e vendit tonë që të bashkëpunojë më ngushtë me NATO-n për të siguruar ruajtjen e paqes dhe stabilitetit përballë kërcënimeve në rritje nga ndikimet malinje në rajon, edhe si një hap drejt anëtarësimit në këtë Aleancë.
Montgomery falënderoi Presidenten për angazhimin e saj personal për të mundësuar ardhjen e afganëve dhe shprehu mirënjohjen e Shteteve të Bashkuara për institucionet e Kosovës dhe popullin e saj që i kanë bërë të ndihen të mirëpritur. Sikurse Qeveria e Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe institucionet e Republikës së Kosovës e shohin marrëveshjen për strehimin e përkohshëm të afganëve si një sukses të përbashkët.