Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu ka pritur sot në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Australisë në Kroaci, përgjegjës për Kosovë, Adrea Biggi.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se Presidentja Osmani ka thënë se Australia ka kontribuar edhe gjatë luftës në Kosovë duke strehuar refugjatët kosovarë.
Marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve, Presidentja Osmani i ka vlerësuar të shkëlqyeshme dhe në këtë kontekst, ka veçuar mbështetjen e Australisë ndaj Kosovës në rrugën për liri dhe pavarësi, shtet-ndërtim dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Ajo ka kërkuar që mbështetja e Australisë për Kosovën të vazhdojë edhe më tej, në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, por edhe në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Osmani ka theksuar se me shtetin e Australisë, bashkëpunimi politik do të zgjerohet dhe me atë në fushën e ekonomisë, mbrojtjes, arsimit, kulturës dhe sfera të tjera të interesit të përbashkët.
Të dy palët kanë diskutuar edhe për rëndësinë e agjendës së gjelbër, për të cilën Presidentja Osmani ka theksuar se është ndër objektivat e saj, së bashku me forcimin e rolit të gruas në shoqërinë kosovare, si dhe mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta.