UBT News

Osmani pritet nga kryeministri i Luksemburgut: Kosova është e përkushtuar për stabilitet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Luksemburg u prit në takim nga kryeministri Xavier Bettel.

Presidenca sot informoi se temë e diskutimit ndërmjet Osmanit dhe Bettel-it në këtë takim ishte edhe situata aktuale politike dhe e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në veri të vendit pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policor të Kosovës nga ana e Serbisë.

Osmani tha se Kosova është e përkushtuar për paqe e stabilitet dhe se sfidat do t`i tejkalojë me partnerë dhe aleatë.

“Duke u ndërlidhur me zhvillimet e fundit në veri, Presidentja Osmani ka theksuar se është e domosdoshme përballja më drejtësinë e grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia, të cilat e sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët. Presidentja theksoi nevojën e shtimit të angazhimit të ndërmjetësuesit të dialogut, Bashkimit Evropian, drejt zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura sivjet në Bruksel dhe Ohër”, u bë e ditur në komunikatë.

Osmani e falënderoi kryeministrin Bettel për mbështetjen zhvillimore ofruar Kosovës, sikurse për liberalizimin e vizave dhe shprehu besimin për vazhdimin e mbështetjes në rrugën evropiane të Kosovës.

Exit mobile version