Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me ceremoni shtetërore nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Osmani, e shoqëruar edhe nga ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, gjatë qëndrimit në Ankara kanë takuar edhe ministrin e jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.
Në takim sipas zyrës së Presidentes thuhet se “është diskutuar për bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, sigurisë, shkëmbimit tregtar, shëndetësisë dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm. Presidentja theksoi se raportet me Turqinë kanë potencial të zgjerohen e thellohen edhe më tej, në veçanti duke nxitur më shumë investime në Republikën e Kosovës si dhe duke rritur eksportet e Kosovës në Turqi. Ajo më tej theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, si proces nga i cili do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnie”.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se bashkë me aleatët, nuk do të lejojnë destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sipas Presidentes Osmani, paqja dhe e ardhmja e sigurt e rajonit është e mundshme me anëtarësimin e Kosovës dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO.