Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Samitin e Demokracisë të organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka prezantuar tri zotimet e Kosovës për forcimin dhe zhvillimin e demokracisë.
Sipas Osmanit, Kosova do ta forcojë sundimin e ligjit, do ta forcojë rolin e gruas në shoqëri si dhe do të themelojë një Këshill Presidencial për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.
“Andaj sot, do të paraqesë zotimet e Kosovës për forcimin dhe zhvillimin e demokracisë sonë për të siguruar që ajo t’i rezistojë kohës. Ne do të: Forcojmë sundimin e ligjit përmes zbatimit të plotë të Strategjisë Kombëtare për Sundim të Ligjit, dhe një procesi të vetingut i cili do t`i rrënjosë integritetin, paanshmërinë dhe profesionalizmin në zemër të sistemit tonë të drejtësisë. Ne zotohemi për miratimin dhe zbatimin e legjislacionit të avancuar për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, vendosjen e ndalimit të udhëtimit për individët e huaj të përfshirë në abuzime të rënda të të drejtave të njeriut, ndalimin e financimit të qeverive të huaja për partitë politike dhe ndalimin e institucioneve publike që të përdorin teknologji të vëzhgimit nga prodhues jo të besueshëm. Forcojmë rolin e gruas në shoqërinë tonë duke iniciuar veprime për harmonizimin e të gjitha ligjeve përkatëse me dispozitat e ligjit për barazinë gjinore, për të garantuar vendin e duhur të gruas në institucionet publike dhe rolet vendimmarrëse. Ne gjithashtu do ta miratojmë një strategji kombëtare të guximshme kundër dhunës me bazë gjinore për ta zbatuar Konventën e Stambollit, për ta frenuar këtë epidemi përmes parandalimit dhe mbrojtjes dhe duke i rritur dënimet minimale për të pasqyruar peshën e rëndë të krimeve me bazë gjinore. Do ta themeloj një Këshill Presidencial për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, i cili do të bashkojë institucionet publike dhe shoqërinë civile për të shtyrë përpara dhe monitoruar zbatimin e zotimeve tona. Ky këshill tregon përkushtimin tonë afatgjatë për ta përmirësuar demokracinë tonë”, deklaroi mes tjerash Osmani në Samitin e Demokracisë./UBTNews