Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka pritur në takim Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak.
Takimi është mbajtur në Presidencë pa praninë e mediave, ndërsa Lajçak pritet që në orën 16:00 të zhvillojë takim edhe me kryeministrin Kurti.
Kujtojmë se Lajçak pas vizitës dyditore në Prishtinë do të shkojë edhe në Beograd. Kjo vizitë vjen pas takimit të 27 shkurtit në Bruksel mes kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të cilët e pranuan Propozimin e Bashkimit Evropian me mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë për normalizimin e raporteve mes dy palëve.
Po ashtu, raundi i ri i dialogut është caktuar të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe sipas BE-së, qëllimi kryesor tani është që palët të arrijnë pajtim rreth një plani si dhe të modaliteteve për zbatimin e propozimit evropian.