Presidentja Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri gjerman Rainer Rudolph, të cilit i uroi suksese në angazhimin diplomatik në Kosovë, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e pandërprerë të Gjermanisë në shtet-ndërtimin dhe forcimit të pozitës ndërkombëtare të vendit tonë.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani theksoi se Gjermania ka qenë dhe mbetet një aleate e fuqishme e Kosovës dhe një mbështetëse e palëkundur në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO, raporton KosovaPress.
Gjatë takimit, u theksua rëndësia e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, si dhe kontributi i çmuar i mërgatës sonë në Gjermani, e cila përmes angazhimit dhe investimeve të saj po forcon lidhjet mes dy vendeve dhe popujve tanë.
Osmani shprehu bindjen se partneriteti i ngushtë ndërmjet dy vendeve do të vazhdojë të thellohet në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë gjatë mandatit të ambasadorit./D.B/KP