UBT News

Osmani: Pjesëmarrja e grave në procesin e dialogut, vendim i nevojshëm dhe i mençur

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në konferencën virtuale “E Ardhmja e Agjendës për Gratë, Paqen, Sigurinë dhe Drejtësinë në Kosovë dhe përtej”.

Në këtë konferencë theks i veçantë u vu në angazhimin e grave në dialogun Kosovë-Serbi, ku mes tjerash Osmani deklaroi se pjesëmarrja e grave në procesin e dialogut mbetet në nivel brengosës.

“Aktualisht, pjesëmarrja e grave në dialog mbetet ende në nivele brengosës. E ne duhet të kemi të qartë që pjesëmarrja e grave në procesin e dialogut është jo vetëm vendim i nevojshëm, por edhe vendim i mençur, e mbi të gjitha, është një dëshmi e përkushtimit për të respektuar objektivat e Rezolutës 1325″, deklaroi ajo.

Osmani theksoi që kjo konferencë, po ashtu paraqet një mundësi të mirë që të “reflektojmë dhe të identifikojmë se çfarë mund të bëjmë për t’i fuqizuar tutje veprimet tona në mënyrë̈ që t’i përmbushim zotimet në kuadër të Rezolutës 1325”.

“Gratë në Kosovë kanë qenë historikisht dhe vazhdojnë të jenë shtyllë e shoqërisë tonë. Mirëpo, roli i tyre shpesh është  margjinalizuar, vlerësimi i kontributit të tyre ka qenë më i zbehtë, e angazhimi i tyre në proceset e ditëve të sotme vendimtare për të ardhmen e vendit tonë është ende larg niveleve të dëshiruara”, deklaroi ajo.

Në konferencën e cila po vazhdon punimet, pjesëmarrës ishin përfaqësues të institucioneve vendore, ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare./UBTNews

Exit mobile version