Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka marr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale gjatë luftës: Derisa çdo grua të mos jetë e lirë nga dhuna, asnjë prej nesh nuk do të jetë vërtetë e lirë.
Osmani ka përmendur luftën duke shtuar se Kosova dhe Kolumbia mund të jenë të ndara nga oqeane, por janë të lidhura nga një e kaluar e përbashkët e dhimbshme dhe janë të përkushtuara për të ngritur zërin për drejtësinë raporton KosovaPress.
“Ne qëndrojmë të bashkuar në përpjekjet tona për të promovuar agjendën e Grave, Paqes dhe Sigurisë, një agjendë që e shohim si një element qendror për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në mbarë botën. Megjithatë, arsyeja kryesore që unë qëndroj para jush sot janë dy zonjat e hekurta të ulura mes jush, Vasfija dhe Shyhreti, dy nga 20,000 të mbijetuarat e dhunës seksuale nga lufta e fundit në Kosovë. Historitë e tyre, dhimbja, lufta e tyre, por më e rëndësishmja, guximi dhe qëndrueshmëria e tyre duhet të jenë të njohura për të gjithë. Ndërsa asnjë fjalim nuk mund t’i përshkruaj vuajtjet e tyre, unë jam i bindur se prania jonë sot këtu, prania jonë së bashku është ajo që i mban ato që të vazhdojnë të luftojnë për drejtësi. Ata nuk kanë nevojë për keqardhjen tonë”, tha Osmani.
Presidentja Osmani ka thënë se ashtu si konflikti i gjatë me dekada në Kolumbi, lufta e fundit në Kosovë, ndonëse krejtësisht ndryshe, ishte një luftë me plagë të thella, veçanërisht për më të pambrojturit.
Ajo ka përmendur se dhuna seksuale u përdor si një armë lufte nga regjimi i Millosheviqit, duke u shkaktuar vuajtje të mëdha të mbijetuarve dhe shoqërisë në përgjithësi.
“Unë me të vërtetë besoj se njohja e kësaj historie të dhimbshme është hapi i parë drejt shërimit dhe parandalimit. Është thënë shumë herë, dhuna seksuale dhe konfliktet janë nga krimet më të tmerrshme që ka njohur njerëzimi. Ajo shkon përtej dëmtimit fizik. Ajo shkatërron jo vetëm individë, por familje, komunitete dhe shoqëri të tëra. Është një armë lufte që është projektuar qëllimisht për të shkaktuar dëme midis brezave. Adresimi i kësaj nuk është vetëm thelbësor për dinjitetin e të mbijetuarve, por për vetë integritetin e humanitetit tonë të përbashkët. Kjo është arsyeja pse unë e përgëzoj Kolumbinë për vënien në qendër të vëmendjes nevojën për tu përqendruar ndaj mbijetuarve në përpjekjet tona për drejtësinë restauruese dhe ndërtimin e paqes”, shtoi Osmani.
Presidentja shtoi se zgjedhja për të përdorur dhunën seksuale si armë lufte është një zgjedhje e qëllimshme.
“Qëllimi është të thyhet shpirti i një kombi. Ndërsa regjimi i Millosheviqit shënjestroi brutalisht gratë, vajzat dhe madje edhe burrat tanë, kriminelët e luftës nuk ishin të përgatitur të përballeshin me vendosmërinë e palëkundur, shpirtin e pathyeshëm dhe popullin e qëndrueshëm të Kosovës, një popull që nuk do të thyhej kurrë, një popull që do të ngrihej nga hiri i luftës për t’u bërë burim fuqizimi, solidariteti dhe mbështetjeje jo për njëri-tjetrin brenda vendit tonë, por edhe për të tjerët në nevojë kudo në botë. Për një kohë të gjatë, edhe të mbijetuarit jetuan në heshtje në shtëpitë e tyre, të rënduar nga stigma dhe të anashkaluar nga sistemi që kishte për qëllim t’i mbronte ata. Por heshtja nuk mund të japë drejtësi. Pikërisht atëherë kuptuam se lufta për të drejtat e të mbijetuarve duhet të jetë në qendër të shërimit tonë kolektiv. Ne e kemi ngulitur këtë agjendë në vetë strukturën e punës sonë, jo vetëm në zyrën e presidentit, por edhe në institucione të tjera, duke siguruar që zërat e të mbijetuarve të dëgjohen, vlerësohen dhe fuqizohen”, ka theksuar Osmani.
Osmani ka përmendur se që nga 14 prilli 2022, pas iniciativës së kampionëve si Feride Rushiti, kanë vendosur ta shpallin14 prillin si ditë kombëtare për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Kjo ditë tani është e gdhendur përgjithmonë në kujtesën tonë kolektive si një ditë për të nderuar të mbijetuarit dhe për t’u zotuar se do të qëndrojmë me ta në çdo hap të rrugës. 14 Prilli nuk është vetëm një datë tjetër. Në këtë datë të vitit 1999, Vasfija e cila na është bashkuar sot, atëherë vetëm 16 vjeçe, ende fëmijë, forcat e Millosheviqit e rrëmbyen nga krahët e nënës së saj. E çuan në një vend që do të shënonte momentet më të errëta të jetës së saj. Për orë të tëra, ajo u mbajt nën kërcënimin e armëve dhe u përdhunua vazhdimisht. Në vend të heshtjes, Vasfija zgjodhi të flasë. Ajo foli për drejtësi, kundër stigmës dhe duke bërë këtë, ajo mblodhi një popull të tërë rreth saj. Sot, ajo është zëri i mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës”, ka shtuar Osmani.
Osmani tha se lufta për parandalimin e dhunës seksuale në konflikt nuk është përgjegjësi vetëm e Kosovës apo e Kolumbisë. Presidentja tha se kjo duhet të jetë përgjegjësi globale.