Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 23-vjetorin e betejës së UÇK-së në Loxhë. Osmani ka deklaruar se beteja të tilla, të prira nga strategë lufte e atdhetarë të vendosur, dëshmojnë jo vetëm për shpirtin kryengritës, por edhe për këmbëngulësinë tonë për ta arritur lirinë.
“23 vjet më parë në Loxhë u zhvillua njëra ndër betejat më të rëndësishme të UÇK-së kundër pushtuesit serb. Kjo betejë, e udhëhequr nga komandanti Tahir Zemaj, u organizua mirëfilli ushtarakisht dhe, pavarësisht numrit më të paktë të ushtarëve tanë, i bëri ballë mësymjes serbe. Fatkeqësisht, në këtë betejë ranë heroikisht Rrustem Bruqi, Lumni Surdulli dhe Enver Alaj. Ne do ta kujtojmë përherë sakrificën e tyre dhe përkushtimin për liri. Beteja të tilla, të prira nga strategë lufte e atdhetarë të vendosur, dëshmojnë jo vetëm për shpirtin kryengritës, por edhe për këmbëngulësinë tonë për ta arritur lirinë”, ka thënë presidentja Osmani./UBTNews