UBT News

Osmani përfaqëson Kosovën në samitin e gjashtë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e gjashtë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili këtë edicion po mbahet në Tiranë, Shqipëri, dhe që do të mbledhë 45 liderë evropianë, përfshirë edhe ata të institucioneve të BE-së.

Presidentja Osmani do të pritet nga kryeministri Rama, gjersa përgjatë samitit, do të marrë pjesë në të dy seancat kryesore të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, ndërsa së bashku me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, do të bashkëkryesojë tryezën e liderëve me temën “Një Evropë e hapur me kufij të sigurt”.

Kjo tryezë e liderëve do të trajtojë sfidat e sigurisë në kontinent dhe mundësitë që lidhen me migrimin dhe lëvizshmërinë, me theks të veçantë në fuqizimin e të rinjve, si dhe në shfrytëzimin e potencialit të mërgatës si motor për zhvillim ekonomik dhe stabilitet. Në këtë tryezë të bashkëkryesuar nga Presidentja Osmani do të marrin pjesë liderë nga mbarë Evropa, përfshirë kryeministrat e Italisë, Austrisë, Hungarisë, Belgjikës, ndër të tjerë.

Në kuadër të Samitit, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë.

Komuniteti Politik Evropian është një platformë për liderët evropianë që të diskutojnë çështjet kyçe me të cilat përballet kontinenti. E nisur në vitin 2022, EPC-ja synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në të gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe të thellojë bashkëpunimin midis vendeve të BE-së dhe atyre jashtë saj.

Exit mobile version