Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ngushëlloi për vdekjen e presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli, duke thënë se ishte një politikan i veçantë që pati një angazhim në interes të Kosovës.
“Sot bota politike mbeti pa Presidentin e Parlamentit Evropian, z.David Sassoli. Ai iku befasisht, duke lënë një zbrazëtirë jo vetëm në postin që mbajti, por edhe në skenën politike, si një njeri racional, i hapur dhe evropian i dedikuar. Një vit më parë, pata nderin ta takoj z. Sassoli në Bruksel – një takim e një diskutim që do të mbetet me mua përherë. Ai nuk ishte vetëm një profesionist i pashoq, por edhe një njeri i përkushtuar e i angazhuar, me interes të veçantë për Kosovën duke e mbështetur atë në rrugën e integrimit evropian”, shkroi Osmani.
Më tutje, presidentja i shprehu ngushëllime familjes e miqve si dhe instancave më të larta të Bashkimit Evropian.
“Ngushëllime të sinqerta për familjen e miqtë e tij, si dhe të gjithë shtëpinë e madhe evropiane, në të cilën ai punoi me përkushtim, si një mbështetës i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Z.Sassoli u prehtë në paqe!”, përfundoi Osmani.