UBT News

Osmani për masat e BE-së ndaj Kosovës: Ka tendencë për t’i kushtëzuar me Asociacionin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se ka tendencë nga disa persona në Bashkimin Evropian që largimi i masave ndëshkuese ndaj Kosovës të kushtëzohet me zbatimin e marrëveshjeve të dialogut me Serbinë, e jo siç janë vendosur për deeskalimin e situatës në veri. Kushtëzimet e tilla sipas presidentes Osmani do të kenë vetëm efekt negativ në procesin e dialogut dhe se një gjë të tillë e ka kundërshtuar edhe në samitin e 13 dhjetorit BE-Ballkan Perëndimor. Ajo theksoi se letra e Serbisë ndaj shteteve të BE-së ku i informon se nuk do të zbatojë marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit dëshmon për qasjen destruktive të saj në dialog.

Osmani, pas takimit me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, tha se masat ndaj Kosovës duhet të hiqen sa më parë, derisa theksoi se vetëm anëtarësimi në NATO do të ketë efekt afatgjatë për sigurinë në rajon.

“Ato që janë kërkuar nga Kosova për atë që e quanin deeskalim tashmë ka ndodhur dhe masat veçse është dashur të hiqen. Në mënyrë të padrejtë afektojnë jetën e qytetarëve tanë, pasi janë bllokuar projekte që kryesisht i dedikohen komunave. Për fat të keq ato nuk janë larguar dhe unë pajtohem me ju se ka tendencë nga disa që masat të keqpërdoret në mënyrë për të kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme nga arsyeja që janë vendosur në fillim. Një qasje të tillë unë e kam kundërshtuar edhe në samitin BE-Ballkan Perëndimor që u mbajt me 13 dhjetor. Në fakt kjo logjika sikurse përdoreshin liberalizimi i vizave për të kushtëzuar Kosovën për çështje të dialogut do të ketë efekt vetëm negativ. Nëse dikush mendon të kushtëzohet heqja e masave me ndonjë veprim të Kosovës në kuadër të zbatimit të marrëveshjes vetëm sa do të ketë efekt negativ. Masat duhet të hiqen se Kosova i ka plotësuar kërkesat sa i përket deeskalimit, kurse konstruktivitetin e saj për zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit, Kosova e ka dëshmuar me qindra herë. Ndërkaq Serbia po bënë të kundërtën, jo vetëm me retorik, por edhe me shkrim ku i ka informuar shtetet e BE-së se nuk do të zbatojë marrëveshjen për normalizim”, tha Osmani.

Në anën tjetër, presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, tha se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është kyçe për sigurinë e rajonit.

Ai kërkoi zbatimin e të gjitha marrëveshjeve që janë nënshkruar deri tani, derisa kërkoi nga Bashkimi Evropian që të jetë më objektive në dialog dhe të ketë nxitje pozitive ose masa ndëshkuese në rast se nuk zbatohen angazhimet e marra.

“Ne vazhdojmë të ngulim këmbë për dialogun si mënyrën e vetme për zgjidhjen e problemeve dhe paralelisht zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri tani. Mendoj se kjo është e vetmja rrugë dhe e ardhmja e vetme e rajonit tonë. Ne kategorikisht përjashtojmë provokimet e armatosura dhe dhunën. Ne shprehim shqetësim edhe për situatën në veri të Kosovës. Pranoni keqardhjen tonë për faktin se një polic i Kosovës e humbi jetën gjatë ngjarjeve të 24 shtatorit në Banjskë. Gjithashtu ne ngulim këmbë që BE-ja të ketë një rol aktiv për dialogun intensiv dhe për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme për të gjithë që garantojnë sigurinë dhe stabilitetin. Politika e BE-së duhet të jetë transparente dhe objektive sa i përket çdo pale të përfshirë dhe të përfshijë si nxitje pozitive por edhe si masë restriktive ose ndëshkuese në rast se nuk zbatohen angazhimin”, theksoi ai.

Gjatë konferencës së përbashkët, presidentja Osmani përmendi edhe nevojën që ketë hapa konkret për anëtarësimin e Kosovës drejt NATO-s, duke filluar me Partneritetin për Paqe.

“Është e domosdoshme që Kosova të bëjë hapa përpara drejt anëtarësimit në NATO, duke filluar me Partneritetin për Paqe. Vetëm anëtarësimi në NATO i të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor të cilat mëtojnë një gjë të tillë, do të mund të ketë efekt afatgjatë për paqe dhe stabilitet për tërë rajonin tonë”, theksoi Osmani.

Po ashtu, Osmani dhe Radevtheksuan nevojën e thellimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë, derisa e para e vendit u zotua për respektim të të drejtave të komunitetit bullgar në Kosovë.

Exit mobile version