UBT News

Osmani për BBC-në: Serbia kontrollohet plotësisht nga Rusia por Putini do të dështojë në destabilizimin e Ballkanit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se tensionet në veri të Kosovës janë përgatitur për një kohë të gjatë nga Serbia që është nxitur dhe ndihmuar nga Rusia, derisa ka shtuar se synim kanë de stabilizimin e Ballkanit Perëndimor.

Por, sipas saj, presidenti rus Vladimir Putin do të dështojë në përpjekjet e tij për të destabilizuar Ballkanin.

Në një intervistë për BBC Newsnight, presidentja Osmani ka thënë se Kosova kurrë nuk ka kontribuar dhe nuk do të kontribuojë në përshkallëzim apo dhunë. Derisa ka kërkuar vigjilencën e të gjithëve për të mos rënë pre e propagandës dhe dezinformatave serbo-ruse.

Tensionet po përshkallëzohen. Megjithatë ka pasur përgatitje nga Serbia, e ndihmuar dhe nxitur nga Rusia për një kohë të gjatë, për të tentuar përshkallëzimin e Ballkanit Perëndimor në përgjithësi dhe në Kosovë në veçanti në dekadën e fundit që Vuçiq ka drejtuar Serbinë, por veçanërisht në muajt e fundit ku ata vazhduan t’i mbështesin strukturat ilegale në veri të Kosovës të cilat përbehen nga banda kriminale. Nëpërmjet tyre dhe duke i manipuluar, ata janë duke e mbajtur pakicën serbe që jeton në Kosovë peng të këtyre politikave të gabuara”, ka thënë ajo.

E para e vendit ka theksuar faktin që Kosova kufizohet me një shtet që kontrollohet plotësisht nga Rusia.

Kosova kurrë nuk ka kontribuar dhe nuk do të kontribuojë në përshkallëzim apo dhunë. Por ne duhet të kuptojmë se jetojmë afër një fqinji që kontrollohet plotësisht nga Rusia. Ata po luftojnë mënyrën tonë demokratike të jetës, kjo është një luftë kundër vlerave me të cilat jetojmë çdo ditë të cilat qëndrojnë në themelet e shtetit tonë të pavarur”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se janë veprimet e Serbisë që po krijojnë tensione.

Duhet pasur një qëndrim shumë të qartë ndaj Serbisë, e cila po luan në duart e Rusisë, dhe është vend që nuk ka miratuar sanksione. Serbia në fakt po bën marrëveshje armësh dhe gazi me Rusinë në një kohë kur pjesa tjetër e Evropës po miraton sanksione kundër Rusisë. Pra, akomodimi i tyre nuk është rruga e duhur përpara”, tha ajo për BBC.

Osmani i ka dërguar edhe një mesazh presidentit rus, Vladimitr Putin, duke i thënë se do të dështojë në përpjekjet për destabilizim të Ballkanit përmes Serbisë.

Se ai do të dështojë, ai do të dështojë në Ukrainë dhe ai do të dështojë absolutisht në qëllimet e tij kur bëhet fjalë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor përmes satelitit të tij, Serbisë. Dhe unë dua t’i siguroj të gjithë qytetarët tanë, veçanërisht qytetarët tanë serbë, se ne të gjithë po punojmë që të gjithë të ndihen të barabartë, të gjithë të ndihen të integruar në shoqërinë tonë, si dhe në institucionet tona. Askush nuk duhet të bie pre e propagandës ruse dhe serbe”, ka përfunduar Osmani.

Exit mobile version