Presidentja Vjosa Osmani në një intervistë për BBC-në e ka quajtur marrëveshjen Kosovë-Serbi për të pagjeturit si njërën prej arritjeve më të mëdha të dialogut.
Osmani për BBC ka thënë se shpreson që Serbia të zbatojë atë që është dakorduar me deklaratë.
“Besoj që marrëveshja për të pagjeturit është njëra prej arritjeve më të mëdha të procesit të dialogut, pasi është një nga ato marrëveshje që prek direkt jetën e njerëzve tanë”, ka thënë Osmani.
“Mbi 1 mijë e 600 familje në Kosovë janë ende duke bërë çdo gjë për ta zbuluar vendndodhjen e të dashurve të tyre, të cilët u zhdukën dhunshëm nga regjimi i Millosheviqit gjatë luftës. Ne sigurisht besojmë se ata janë në varre masive në Serbi, por na duhej që Serbia të bashkëpunonte, dhe tash është kyç zbatimi. Shpresoj që Serbia t’i zbatojë këto obligime që vijnë nga ajo deklaratë”, ka thënë Osmani.