UBT News

Osmani: Nga viti tjetër do të rrisim mbështetjen për gratë e prekura me kancer të gjirit

“Zbulimi i hershëm-Mbijetesë”, ishte edhe moto e sivjetme e marshit tradicional në muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit. Për të 16-ën herë është organizuar marshi në sheshet e kryeqytetit, ku u bë thirrje që vajzat e gratë të bëjnë kontrolle të shpeshta. Presidentja e kryeministri janë zotuar se në vitin e ardhshëm do të ofrojnë mbështetje për pacientet e prekura me këtë sëmundje. Ndërkaq, nga drejtoresha e organizatës Jeta/Vita është përmendur mungesa e trajtimit paliativ.

Para fillimit të marshit tradicional, presidentja Vjosa Osmani u ka bërë thirrje të gjitha grave për kontrolle të shpeshta për të parandaluar sëmundjen e kancerit të gjirit.

“Për të gjitha ata që ndjejnë sot dhimbjen e humbjes e më të dashurve të tyre, dua të ju them që të gjithë ne e ndajmë dhimbjen me ju, e ndajmë dhimbjen tuaj të thellë. Sot jemi këtu për tu lutur që dhimbjen ta shndërroni në fuqi dhe që së bashku ta përcjellim qartë e zëshëm, mesazhin se kontrolli i hershëm dhe preventiva shpëtojnë jetë. Tetori është muaji i shpresës, solidarizimit dhe jetës. Ndaj dua të ritheksoj se kontrolli i hershëm ndihmon në parandalimin dhe mposhtjen e kancerit të gjirit. Një në tetë gra në botë ballafaqohen me kancerin e gjirit. Një në tetë gra përjetojnë dhimbje të pafund, përjetojnë ankthin e lajmit të hidhur. Andaj të themi të gjithë, sërish e pa rreshtuar, armiku më i madh i kancerit të gjirit është kujdesi. Mikja më e mirë e së cilës nga ne duhet të jemi vet ne”, ka thënë Osmani.

Ajo është zotuar se që nga viti i ardhshëm, presidenca do të mbështes të gjitha gratë me pako onkologjike të protezave gjoksore. Kryetarja e shtetit tha se gjatë këtij viti, Zyra e Presidencës ka ndihmuar 100 gra me këtë pako me proteza të gjirit.

Shefi i ekzekutivit Albin Kurti tha se ky muaj i kushtohet grave që luftojnë për jetën e lumtur e të gjatë.

“Fatkeqësisht nuk ka një formë të parandalimit, por ka shumë mënyra të shërimit e të tejkalimit. Zbulimi sa më i hershëm i rrit shanset për jetë, për në secilën do fazë zbulimi mund të shpresohet për sukses dhe rastet e tilla fatlume po rriten çdo ditë. Është tejet frymëzuese t’i shohim gratë nga të gjitha shtresat shoqërore që nga pacientet të mbijetuara bëhen aktiviste me zell të kësaj kauze. Solidariteti këtu është jetësor, e mësim i madh për secilin prej nesh. Kjo na obligon edhe më shumë që të merremi të gjithë, të ofrojmë përkrahjen tonë të pakursyer si shoqëri e si institucione. Prej nesh pritet të bëjmë shumë dhe duhet të bëjmë shumë, si qeveri kemi siguruar buxhet të mjaftueshëm për mbulimin e listës së barnave esenciale, ndër to edhe për trajtimin e personave të prekur me kancer të gjirit”, deklaroi Kurti.

Më tej, shtoi se edhe në buxhetin për vitin e ardhshëm do të ketë investime shtesë për diagnostikë.

“Kemi punuar në ngritjen e cilësisë dhe avancimin e shërbimeve shëndetësore për diagnostikimin, ku edhe në buxhetin për vitin 2023 do të ketë investime shtesë në diagnostikë por edhe në pako të veçanta për personat e prekur nga kanceri. Mbi të gjitha, në këtë mision fisnik nuk jemi vetëm ne si ekzekutiv, jemi bashkë me gjithë shoqërinë”, ka shtuar Kurti.

Nafije Latifi, e cila vet dikur ishte e prekur me këtë sëmundje tha se kur themeloi qendrën në vitin 2016, çështja e grave të prekura me kancer të gjirit ishte tabu. Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita” përmendi nevojën e trajtimit paliativ.

“Nuk mund të lë pa përmendur dhembjen më të madhe, mungesën e qendrës për trajtim paliativ për pacientët në faza terminale të sëmundjes që mbetën nën përkujdesjen e familjes, pa pasur ndihmën dhe lehtësimin për një përfundim më të dinjitetshëm. Ky manifestimi i yni që mbahet që 16 vjet dhe unë si paciente që dal këtu para jush, ndoshta është motiv edhe për tjerat se edhe kjo sëmundje mund të tejkalohet nëse gjejmë forcë tek vetja”, është shprehur Latifi.

Ndërsa kryetari i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, Arben Bislimi theksoi se gjatë këtij tetori rozë kanë organizuar ligjërata në fakultetet dhe kolegjet për ndërgjegjësim kundër kancerit të gjirit.

“U fokusuam në kategoritë akademike, u takuam me studentët e fakulteteve dhe kolegjeve anë e mbanë vendit. Objektivi ynë ishte përcjellja e informacionit ‘ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit’… Në 12 muaj jemi të mbështjell rozë, çdo ditë në çdo kohë në shërbim të pacientëve tanë”, tha ai.

Në shënimin e marshit tradicional kanë marrë pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ministra, deputetë, ambasadori i BE-së, Tomas Szynuog dhe dhjetëra qytetarë. Muaji tetor shënon muajin rozë për ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit. 

Exit mobile version