Presidentja Vjosa Osmani dhe drejtoresha e USAID-it në Kosovë, Zeinah Salahi, kanë nënshkruar sot amendamentin 3 të Marrëveshjes së Grantit për Objektivat Zhvillimore me SHBA, me të cilin Republika e Kosovës përfiton edhe 3 milionë dollarë shtesë, duke rritur grantin total mbi 41 milionë dollarë.
Me këtë marrëveshje synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike.
Gjithashtu, me të synohet përmirësimi dhe bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve, shoqërisë civile, bizneseve dhe sektorit publik në mënyrë që komunitetet lokale të kenë pozicion më të favorshëm për t`i adresuar sfidat zhvillimore të Kosovës.
Kjo marrëveshje fillimisht ishte nënshkruar nga presidentja Osmani në nëntor 2020, me të cilën Kosova ka përfituar 33 milionë dollarë nga USAID-i. Në maj të këtij viti, u nënshkrua amendamenti 1 i marrëveshjes, i cili i siguron Kosovës një shtesë të mjeteve financiare në shumën prej 1.6 milionë dollarë amerikan.