Me ftesë të Qeverisë finlandeze, presidentja Vjosa Osmani së bashku me ish-presidentin Fatmir Sejdiu, morën pjesë sot në varrimin e ish-presidentit të Finlandës, Martti Ahstisaari.
Presidenca njofton se në funeralin shtetëror të mbajtur në Helsinki ishin prezent më shumë se 800 të ftuar, krerë e përfaqësues të shteteve, si dhe bashkëpunëtorë nga etapa të ndryshme të karrierës së ish-Presidentit Ahtisaari.
Duke nderuar kujtimin për ish-Presidentin Ahtisaari, Presidentja Osmani tha se: “Sot i dhamë lamtumirën e fundit burrështetasit dhe paqebërësit Martti Ahtisaari. Përkushtimi i palodhshëm i presidentit Martti Ahtisaari ndaj diplomacisë, zgjidhjes së konflikteve dhe të drejtave të njeriut ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën tonë”.
Ajo ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës si dhe për shërbimin e tij shembullor.
Mysafirët në varrimin e presidentit Ahtisaari janë ftuar nga Qeveria finlandeze në përputhje me dëshirat e familjes së presidentit Ahtisaari.
Kontributi i presidentit Ahtisaari për paqe dhe zgjidhje të konflikteve në vende të ndryshme të botës u vlerësua edhe në vitin 2008 kur atij iu dha çmimi Nobel për Paqe.