Paqja nuk vjen duke ecur vetë apo izoluar, por përmes partneriteteve dhe aleancave, tha presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë fjalimit në darkën e organizuar nga Kongresi amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s.
Osmani shprehu mirënjohje për rolin e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s që siç tha ajo sollën paqe në një rajon të Evropës që “nuk kishte njohur kurrë paqe më parë”.
“Por paqja, siç e kemi mësuar të gjithë, është e brishtë. Vetëm disa vite pas marrëveshjes së Dejtonit dhe luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, po i njëjti makth erdhi në shtetin tim, Republikën e Kosovës. Jo si imazh në televizion apo zë në radio, por jetesë. Jetesë e përditshme, makth që erdhi në rrugët tona dhe në shtëpitë tona”, tha Osmani.
“Sot, unë përfaqësoj republikën e lirë dhe sovrane të Kosovës, një tokë, zëri i së cilës një kohë u hesht në luftë, por tani flet në gjuhën e shpresës, në gjuhën e paqes dhe në gjuhën e mirënjohjes. Mbi të gjitha, ne i detyrohemi falënderim burrave dhe grave të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të NATO-s, edhe ata në uniformë, edhe diplomatët në kostum, që qëndruan me neve, kur bota na u duk shumë terr. Ushtarët e SHBA-së dhe NATO-s erdhën jo vetëm si paqe-bërës, por si heronj, si mbrojtësit tanë dhe si shokët tanë. Në momentet tona më të brishta, prezenca e tyre u bë strehë jo vetëm për shtëpitë tona por edhe ëndrrat tona, sepse falë tyre, fëmijët e Kosovës më në fund flenë të sigurt. Falë tyre, një komb i tërë pati guxim të ngrihej nga hiri. Këta heronj nuk erdhën për lavdi, ata erdhën sepse besonin në të drejtat thelbësore të çdo qenie njerëzore, të jetojë i lirë nga shtypja”, tha Osmani gjatë fjalimit.
Ajo falënderoi ushtarët dhe diplomatët që shërbyen në Kosovë “në orët më të vështira të historisë sonë”.
“Drejtuar SHBA-së dhe të gjithë partnerëve në NATO: përkrahja juaj ka qenë dora e fortë që na ka ndihmuar të vazhdojmë para, ju na keni dhënë arsye të qëndrojmë si kombi më pro-amerikan dhe pro-NATO në tokë. Dhe drejtuar çdo ushtari amerikan që ka ecur në rrugët tona, ka mbrojtur qytezat tona dhe ka qëndruar rojtarë i shpresës tonë, ne e themi këtë me sinqeritet të palëkundshëm: shërbimi juaj nuk do të shkojë dëm dhe do të keni gjithmonë një shtëpi në Kosovë. Paqja jonë dhe liria jonë është përgjithmonë e lidhur me trimërinë e juaj dhe mirënjohja jonë është e përjetshme”, tha Osmani.
Osmani po qëndron në SHBA-së si pjesë e sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e cila përkon me 30-vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.