Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar njëvjetorin e rënies së dëshmorit, rreshterit Afrim Bunjaku.
“Sot një vit, Rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, për të treguar edhe një herë, siç kemi dëshmuar ndër shekuj, se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm. Se liria nuk ka çmim. Se Kosova është dhe do të mbetet e pandashme, e liria dhe kufijtë tanë të paprekshëm! Sot e përgjithmonë!”, ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook.
24 shtatori shënon një prej datave më të rënda për historinë e Kosovës pasi Policia e Kosovës u përball me sulm terrorist.
Rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku mbeti i vrarë në sulm. Babai i tre fëmijëve, heroi më i ri i shtetit të Kosovës, u qëllua nga dy drejtime të ndryshme në afërsi të kësaj ure.