Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ndërrimit të Komandës së KFOR-it tha se për më shumë se dy dekada KFOR ka qenë gurthemel i paqes sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.
Ajo theksoi se populli i Kosovës është i rreshtuar me vlerat e lirisë e demokracisë, prandaj siç tha Osmani aspirata e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO nuk është thjesht një zgjedhje strategjike, por një pasqyrim i asaj se kush jemi.
“Kosova gjithmonë do të mbetet mirënjohëse për shërbimin tuaj, për sakrificën tuaj dhe për përkushtimin tuaj të palëkundur për paqe. Uroj që ky mision të vazhdojë të qëndrojë si simbol i angazhimit të qëndrueshëm të NATO-s dhe si një premtim i gjallë se, së bashku, uniteti vërtet i kapërcen të gjitha. Kjo kauzë e madhe, pa dyshim, kërkon përpjekjen e secilit prej nesh. Historikisht edhe sot, populli i Republikës së Kosovës gjithmonë është rreshtuar me vlerat e lirisë, demokracisë dhe sigurisë kolektive. Kjo është arsyeja pse aspirata jonë për t’u anëtarësuar në NATO nuk është thjesht një zgjedhje strategjike, por një pasqyrim i asaj se kush jemi. Në kohë kur kërcënimet ndaj paqes po shtohen, aleanca është më e fortë kur qëndron pranë partnerëve që vërtet kanë dëshmuar përkushtimin e tyre. Kosova e ka bërë këtë vazhdimisht – përmes qëndrueshmërisë sonë, reformave tona dhe vendosmërisë së popullit tonë. Dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë krah aleatëve tanë, sepse vetëm së bashku mund të sigurojmë që paqja e fituar me mund sot, të bëhet paqja e qëndrueshme e së nesërmes”, theksoi ajo.
Tutje presidentja e vendit, Vjosa Osmani shtoi se një realitet do të jetë i plotë vetëm atëherë kur flamuri i Republikës së Kosovës të qëndrojë pranë të gjithë flamujve që shohim sot këtu, si anëtare krenare e NATO-s.
“Vendosmëria e Kosovës do të mbetet e palëkundur. Në mbrojtje të këtyre vlerave, në mbrojtje të sovranitetit të saj, dhe në mbrojtje të çdo pëllëmbe të integritetit tonë territorial. Vetëm kur veprojmë të bashkuar në mbrojtje të këtyre vlerave, mund të ëndërrojmë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe. Një realitet që do të jetë i plotë vetëm atëherë kur flamuri i Republikës së Kosovës të qëndrojë pranë të gjithë flamujve që shohim sot këtu, si anëtare krenare e NATO-s”, tha ajo./D.B/KP