UBT News

​Osmani në Kuvend: Kosova nuk thyhet, do t’i mbrojë kufijtë e saj me çdo kusht

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova do t’i mbrojë kufijtë e saj me çdo kusht dhe në secilin cep të territorit të vendit. E para e shtetit në adresimin e saj para Kuvendit të Kosovës, ka thënë se Kosova nuk do të thyhet nga qëllimet hegjemoniste të Serbisë për aneksimin e veriut. Osmani theksoi se agresioni i Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator në Banjskë, dëshmon se politika e sotshme e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, është politika e djeshme e ish kasapit të Ballkanit, Millosheviq. Megjithëse dy partitë opozitare PDK dhe AAK, e bojkotuan fjalimin e Osmanit, ajo tha se nuk duhet të ketë ndarje partiake apo ideologjike, por duhet të ketë unitet pa dallim.

Osmani para deputetëve të mazhorancës dhe atyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës, përmendi edhe sfidat në dialogun me Serbinë, ku kërkoi balancim më të madh nga ndërmjetësuesit e dialogut dhe heqje të masave ndaj Kosovës. Përkitazi me këtë, presidentja Osmani nënvizoi se draftstatuti i Asociacionit, që i është dorëzuar Kosovës nga euro-amerikanët, duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t’i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe çdo kusht. Askush dhe asgjë nuk do të largojë Republikën tonë për të shtrirë sundimin e ligjit në të gjithë territorin tonë. Askush dhe asgjë nuk do të largojë Republikën tonë nga përpjekja e çdo ditshme që këtë vend ta bëjmë të sigurt dhe të dinjitetshëm për të gjithë qytetarët tanë pa dallim… Serbia nuk është e interesuar as për paqe të qëndrueshme dhe as për fqinjësi të mirë dhe as për përmbyllje të procesit të dialogut me Kosovën. Fatkeqësisht politika e sotme e Vuçiqit është politika e djeshme e Millosheviqit. Prandaj, ambiciet hegjemoniste nuk kanë marrë fund, Banjska, ishte vetëm një paralajmërim se Serbia nuk do të heq dorë nga planet e saja të errëta”, theksoi ajo.

Osmani tha se në raport me agresionin e Serbisë ndaj Kosovës më 24 shtator, populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e saj kanë ditur të bashkohen rreth kauzës së mbrojtjes së shtetit tonë të ndërtuar me aq shumë sakrifica.

“Në situata të tilla nuk duhet të ketë ndarje partiake apo ideologjike. Duhet të ketë unitet pa dallim. Rreshtimi i vetëm që na duhet sot është rreshtimi në anën e shtetit tonë të pavarur dhe sovran. Mbrojtja e këtij shteti është testament i brezave të trashëguara para nesh, prandaj e kemi për detyrë të lejmë më të fortë dhe përparuar për brezat që vijnë pas nesh. Ne jemi pak për të qenë të ndarë dhe me qëllime të dallueshme për situate si kjo, ku vetëm uniteti është përgjigja e duhur për të mbrojtur sovranitetin e shtetit tonë. Këtë rrezik nuk e kemi kaluar andaj nuk duhet t’i nënshtrohemi ndarjeve dhe dallimeve prandaj duhet të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë në përballje me Serbinë dhe të qëndrojmë këmbëngulës dhe të palëkundur të sfidave të sigurisë”, shtoi Osmani.

Në seancën ku të pranishëm ishin edhe kori diplomatik në Kosovë, Osmani kritikoi Bashkimin Evropian për qasje të njëanshme në dialog.

“Procesi i dialogut me Serbinë sa vjen dhe po bëhet më i vështirë. Kjo nga jo konstruktiviteti, obstruksionet dhe përpjekjet e Serbisë që të shkaktojnë destabilitet jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë. Mungesa e balancimit dhe qasjes së trajtimit të barabartë i ka bërë dëme jashtëzakonisht të madh këtij procesi. Kosova akoma përballet me masa të padrejta dhe jo proporcionale të cilat prekin interesin e qytetarëve të saj. Në anën tjetër duke mos vendosur masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit të 24 shtatorit dhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it ky shtet vetëm po inkurajohet të përdorë dhunë. Një trajtim i pabarabartë ndaj palëve do të jetë një goditje për vet kredibilitetin e procesit të dialogut dhe pengesa kryesore për suksesin e këtij procesi”, shtoi ajo.

Në anën tjetër, Osmani bëri thirrje që për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të gjithë, pa dallime partiake, të bashkohen për ta formuar në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, e jo të jetë me kompetenca ekzekutive.

Ajo tha se pavarësisht deklaratave të zyrtarëve evropian dhe amerikanë se drafti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, një vlerësim të tillë duhet ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese.

“Institucioni që duhet të bëjë këtë vlerësim duke udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit është Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Është me rëndësi që të gjithë ne pa dallim partiak të ulemi dhe bashkërisht të përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese kurdo që ky draft do të dorëzohet para këtij institucioni. Qëllimi i përbashkët duhet të jetë që të sigurojmë përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe mos të lejojmë një pushtet të ndërmjetëm të qeverisjes apo anomali të tjera të cilat rrezikojnë funksionimin e brendshëm të shtetit tonë. Prandaj në mënyrë që qëllimet tona të përbashkëta të përkthehen edhe në veprime të përbashkëta, përveç konsultimeve të vazhdueshme me kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit kam ftuar për takim edhe liderët e partive opozitare me qëllim që për këtë temë sfiduese të ndërtojmë një qëndrim të unifikuar në mbrojtje të Republikës tonë”, theksoi Osmani.

Duke folur për fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës, Osmani tha se anëtarësimi në NATO duhet të jetë prioritet numër një i vendit.

“Anëtarësimi në NATO duhet të jetë prioriteti numër një. Aspiratat tona për anëtarësim në aleancën më të fuqishme ushtarake janë të vendosura të bazuara në përkushtimin tonë për sigurinë dhe stabilitetin tonë rajonal dhe global”, tha Osmani.

Po ashtu, Osmani bëri thirrje për unifikim i shqiptarëve në politikën e jashtme dhe koordinim më të madh me Shqipërinë.

Exit mobile version