UBT News

Osmani në Bruksel, sot samiti BE – Ballkani Perëndimor

Me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot do ta përfaqësojë vendin tonë në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.

Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, presidentja Osmani do të diskutojë nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit në dritë të sfidave të vazhdueshme të sigurisë në rajon dhe më gjerë, duke filluar me mbështetjen për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës.

Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel, ndër të tjera, do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

Në kuadër të samitit, presidentja Osmani po ashtu do t’i informojë krerët e shteteve dhe të BE-së lidhur me situatën e sigurisë në vend, pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator.

Po ashtu edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet tashmë në Bruksel për të marrë pjesë në këtë samit që i paraprin mbledhjes së Këshillit Evropian dhe që do të diskutojë për hapjen e kapitujve të negocimit.

Deri tani, të gjitha vendet përveç Greqisë kanë aprovuar mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Exit mobile version