Në 27-vjetorin e rënies heroike të tre heronjve të parë të UÇK-së, presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë homazhe te shtatorja e Zahir Pajazitit, me ç’rast tha se ata ishin nismëtar të lirisë dhe frymëzues të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se përmes trimërisë, guximit e sakrificës së tyre inspiruan me mijëra djem e vajza që të luftojnë për lirinë e Kosovës.
Në këtë përvjetor të rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, Osmani potencoi se këta të fundit ndërtuan themelet e forta për shtetin e pavrur dhe sovran që është sot.
Ajo shtoi se përmes luftës së tyre ndaj okupatorit serb dëshmuan se çmimi i lirisë është shumë i lartë, por që është çmim të cilin populli i Kosovës e pagoi duke e ditur që liria, pavarësia dhe shteti që e trashëguam nëpërmjet trimërisë së tyre është shtet që do të rrojë përgjithmonë.