Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Gjermani për ta pranuar çmimin e forumit ndërkombëtar M100 Sanssouci Colloquium, i cili mbahet një herë në vit qe nga 2005 në Potsdam.
Nominimi i Osmanit është bërë nga juria e Forumit dhe është liderja e parë nga Ballkani që nderohet me këtë çmim për përkushtimin e saj ndaj vlerave euroatlantike dhe për punën e saj të palodhur në reforma, forcimin e demokracisë, kursin proevropian, luftën kundër korrupsionit, si dhe për barazinë dhe të drejtat e grave.
Laudation për presidenten Osmani do ta mbajë Rudolph Scharping, ish-ministër i mbrojtjes i Gjermanisë gjatë luftës në Kosovë.
Ky çmimi u jepet personaliteteve që janë të përkushtuara për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, të drejtave të njeriut dhe vlerave evropiane.
Laureat i këtij çmimi është edhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, teksa në garë për këtë titull kanë qenë edhe personalitete të ndryshme evropiane, përfshirë presidentë dhe kryeministra.
Ky forum ndërkombëtar udhëhiqet nga kryebashkiaku i qytetit të Potsdam-it Mike Schubert.
Ndryshe, deri më tash me këtë çmim janë nderuar edhe Hans-Dietrich Genscher, Bernard Kouchner, Mario Draghi, Vitali Klitschko, Alexei Nawalny, populli ukrainas dhe Lëvizja për Lirinë e Jetës së Grave Iraniane.