Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se gjatë takimit me zëvendëssekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Landau, kanë diskutuar për rikthimin e dialogut strategjik mes Kosovës dhe ShBA-së.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Osmani tha se me zëvendëssekretarin amerikan kanë trajtuar gjithashtu një sërë çështjesh që lidhen me bashkëpunimin dypalësh, sigurinë, paqen, zhvillimin ekonomik dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.
Presidentja u ndal edhe te nënshkrimi i një ligji nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili përfshin edhe Republikën e Kosovës. Sipas saj, ligji parashikon mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, përjashton ndryshimet e kufijve dhe përcakton që dialogu me Serbinë duhet të bazohet në njohje reciproke.
“Diskutuam edhe për një sërë çështjesh të tjera, për të cilat është e domosdoshme të kemi koordinim të plotë dhe të vazhdueshëm me SHBA-në si aleatin tonë më të rëndësishëm strategjik, si dhe për hapat dhe veprimet që duhet t’i ndërmarrim për rikthimin e dialogut strategjik me SHBA-në”, deklaroi Osmani pas takimit.
Ajo theksoi se në këtë takim është rikonfirmuar mbështetja e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për rritjen e investimeve strategjike në sektorin ekonomik.
Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm me SHBA-në dhe shprehu besimin e saj të plotë në administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, duke e cilësuar partneritetin me SHBA-në si shtyllë kyçe të politikës së jashtme të Kosovës.
