Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se pret mbështetje nga shtetet e Bashkimit Evropian për procesin e liberalizimit të vizave dhe për çështjen e aplikimit për statusin e vendit kandidat.
Ajo ka përmendur krizën energjetike për çka ka thënë se pret mbështetje nga Bashkimi Evropian për tejkalimin e saj, gjithashtu edhe për sfida të tjera të përbashkëta të vendeve te Ballkanit Perëndimor.
Liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor në ora 11:00 do të shkëmbejnë pikëpamjet e tyre për çështjet të cilat pritet të diskutohen. Në ora 11:45 do të bëjnë foton familjare, për të vazhduar më pas me seancën plenare dhe drekën e punës nga ora 12:15. Ndërsa në ora 14:30 pritet të mbahet konferenca për media.
Ky samit, është i pari që po zhvillohet në territorin e një vendi të rajonit që nuk është në Bashkim Evropian dhe ka në agjendë krizat energjetike, luftën në Ukrainë si dhe krizën e migracionit.
Samiti është pjesë e zbatimit të Agjendës Strategjike të Këshillit Evropian 2019-2024, si dhe konsiderohet një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë drejt BE-së.