Vjosa Osmani, prijëse e listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në zgjedhjet e 7 qershorit, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arsye për ta refuzuar emrin e saj për një mandat tjetër si presidente.
Në një konferencë për media, së bashku me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, Osmani tha se rezultati i zgjedhjeve është vetëm hapi i parë drejt ringritjes së partisë.
“Na jep shpresë se jemi në rrugë të drejtë. E me më shumë punë në terren dhe afër qytetarëve besoj se LDK-ja do të vazhdojë të ringritet në muajt dhe vitet në vijim,” ka thënë ajo.
“Koha e ringritjes vetëm ka filluar. S’ka asgjë që e ndal,” shtoi Osmani.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja ka ruajtur numrin e votave, por ka shënuar rritje në përqindje për shkak të rënies së pjesëmarrjes së përgjithshme. Sipas rezultateve preliminare, LDK-ja renditet si partia e tretë me rreth 18 për qind të votave.
