Presidentja e vendit, Vjosa Osmani deklaroi se 12 qershori është një nga ditët më domethënëse për shtetësinë e Kosovës. Në ceremoninë e parakalimit të ushtarëve të FSK-së dhe policisë së Kosovës për nder të 25-vjetorit të çlirimit të vendit tonë, tha se UÇK-ja ishte shtylla më e fuqishme e rezistencës dhe e shpresës.
“Në këtë luftë, UÇK-ja ishte shtylla jonë më e rëndësishme e shpresës. Lufta e tyre nuk ishte vetëm për token, por për vet shpirtin e Kosovës. Guximi i UÇK është një histori heroizmi që do të tregohet brez pas brezi. Ne u detyrohemi atyre me një mirënjohje”, tha ajo.
Ajo përmendi edhe komandantin legjendar, Adem Jashari dhe familjen Jashari, duke shtuar se Kosova u mbështet edhe nga aleatët ndërkombëtarë.
“Më 12 qershor luftëtarët e UÇK dhe ushtarët e NATO-s, dhimbjen dhe lotët na i kthyen në shpresë. Sot festojmë edhe lidhjet e miqësisë. 25 vjet më pas po ndërtojmë arkitekturën e sigurisë kombëtare dhe po e bëjmë këtë që të zëmë vendin në aleancën e NATO-s”, shtoi ajo.
Në ceremoninë shtetërore për nder të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës do të parakalojnë 16 kuadrate të FSK-së, shtatë të Policisë së Kosovës, ku janë mbi 1500 pjesëtarë.