Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përkujtoi sot heroin Enver Zymberi në 12-vjetorin e rënies. Osmani potencoi se Zymberi ishte mishërim i përkushtimit, guximit dhe vetëmohimit.
“Dymbëdhjetë vjet më parë polici Enver Zymberi ra në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës. Sot e nderojmë guximin dhe sakrificën e heroit. Atij, sikurse edhe të gjithë policëve të rënë në detyrë u përkulemi për kontributin e çmuar për sigurinë tonë në çdo cep të vendit”, u shpreh Osmani.
Ajo potencoi se policët duhet të respektohen, vlerësohen dhe mbështeten për punën e tyre.
“Policia e Kosovës janë mbrojtësit e palëkundur të kufijve të shtetit tonë nga agresioni i vazhdueshëm i Serbisë, prandaj ata duhet jo vetëm të respektohen por edhe të vlerësohen e mbështeten maksimalisht për punën dhe sakrificën e tyre”, shtoi ajo.
Polici Enver Zymberi ka vdekur më 26 korrik të vitit 2011 si pasojë e plagëve të marra, në një sulm të armatosur kundër Policisë së Kosovës në veri.