UBT News

Osmani: Kosova me njohjen nga Izraeli e ka forcuar edhe më tej pozicionin ndërkombëtar

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se shteti i Kosovës me njohjen nga Izraeli e ka forcuar edhe më tej pozicionin ndërkombëtar, teksa ka shfaqur shpresën se veprimin e këtij shteti ta ndjekin edhe shtetet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën.

Në një bisedë telefonike me kryetarin e Kuvendit të Izraelit, Yariv Levin, Osmani e ka falënderuar atë për vendimin e shtetit të tij për ta njohur shtetin e Kosovës, duke shfaqur shpresën se hapja e këtij kapitulli të ri do të jetë mundësi e mirë për intensifikimin e marrëdhënieve në shumë sfera. Në këtë kontekst, marrëdhëniet me Izraelin i ka konsideruar të rëndësisë strategjike.

Në cilësinë e kryetares së Kuvendit të Kosovës, zonja Osmani ka potencuar rëndësinë e fillimit të bashkëpunimit ndërparlamentar, duke e pas parasysh faktin se legjislativi kosovar tashmë ka krijuar Grupin e Miqësisë me Izraelin.

Më tej, në këtë bisedë telefonike, u.d. Presidetnja Osmani i ka thënë Levin se Kosova do ta mbështes çdo iniciativë globale kundër antisemitizmit.

“Antisemitizmi nuk ka gjetur vend në Kosovë. Në këtë plan ne do të punojmë edhe me rininë kosovare lidhur me edukimin e tyre për luftën kundër antisemitizmit”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq Levin në fund të kësaj bisede telefonike e ka ftuar Osmanin për një vizitë në Izrael, në një kohë të përshtatshme për të dy palët./UBTNews

Exit mobile version