Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në avancimin e sundimit të ligjit në përputhje me strategjinë e miratuar gjithëpërfshirëse kombëtare, një nga rezultatet më të rëndësishme në kuadër të zotimeve në Samitin për Demokraci.
Në kuadër të Samitit të tretë për Demokraci, i mbajtur në Republikën e Koresë, e para e vendit tonë tha se Kosova ka dëshmuar gjithashtu edhe përkushtimin ndaj standardeve ndërkombëtare dhe bashkëpunimit, duke miratuar Deklaratën kundër ndalimit arbitrar në marrëdhëniet ndërshtetërore; duke u bërë pjesë e Deklaratës së Parimeve për ta luftuar represionin transnacional së bashku me gjashtë vende të tjera demokratike, në tetorin e kaluar, si dhe duke punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara drejt avancimit të përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar manipulimin e informacioneve nga ndonjë shtet i huaj.
Osmani ka thënë se zotimet e marra në kuadër të Samitit për Demokraci i kanë prirë rrugëtimit të Kosovës në politikë dhe vendimmarrje.
“Teksa po flas para jush, ne jemi duke i bërë përgatitjet për ta mbajtur edicionin e dytë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në muajin prill në Prishtinë. Në këtë edicion, ne do të fokusohemi jo vetëm në partneritetet dhe dialogun për ta ndërtuar paqen e qëndrueshme përmes sigurimit të përfaqësimit më të madh të grave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes. Jam e lumtur ta ndajë me ju lajmin për themelimin e Qendrës së parë Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Ballkanin Perëndimor, në partneritet me Zyrën e Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, në përputhje me Strategjinë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2023 të SHBA-ve, si dhe Planin Kombëtar të Veprimit. Këto masa përfaqësojnë në tërësi një qasje të fuqishme drejtë forcimit të sundimit të ligjit, duke shfaqur përkushtimin e Kosovës ndaj reformës ligjore, transparencës si dhe mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të njeriut. Në këtë rrugëtim, angazhimi i brezit të ardhshëm në proceset demokratike është jetik. Jam e bindur se nëpërmjet njohurive të tyre digjitale gjithnjë në zhvillim, ne kemi mundësi të jashtëzakonshme për ta zhvilluar tutje demokracinë. Veprimet e të rinjve tanë, pasioni i tyre dhe përkushtimi ndaj demokracisë mund ta nxisin një epokë të re prosperiteti. Kjo, ngase, ku ka qëndrueshmëri, këmbëngulje, unitet dhe ambicie, demokracia gjithmonë fiton”, ka përfunduar Osmani.