Në edicionin e 19-të të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit dhe Sportit që është hapur të enjten në Prishtinë, po marrin pjesë mbi 100 biznese vendore e ndërkombëtare.
Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës dhe Sportit, Daulina Osmani theksoi rëndësinë e këtij panairi i duke thënë se përmes tij, ofrohen më shumë mundësi për promovimin e turizmit dhe sportit.
“Kënaqësi qe kjo sallë po mbledhë të gjithë për të ofruar më tepër këto dy shtylla të rëndësishme. Kosova dhe rajoni ka hapësirë të madhe për promovimin e turizmit sportiv”, tha Osmani.
Se panairet e tilla janë mundësi e mirë për promovimin e turizmit e tha edhe kryetari i komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari.
Bajraktari shtoi se Ulqini është duke bërë më të mirën për të mirëpritur gjithë turistët nga Kosova.
“Kosova është tregu më i rëndësishëm turistik për Ulqinin. Pushteti lokal i Ulqinit po bënë përpjekje të forta që të ofrojë ekperienca unike për çdo qytetar të Kosovës”, tha Bajraktari.
Kryetari i Komunitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi derisa theksoi rëndësinë që ka ky panair, tha se bashkë me federatat e ndryshme po paraqesin ofertat e tyre tek gjithë të pranishmit për t’i joshur dashamirët e sportit.
Qëllimi i këtij panairi vazhdon të jetë promovimi i turizmit vendor dhe rajonal duke shërbyer si udhëzues i pikave dhe atraksioneve turistike
Panairi do të jetë i hapur edhe të premten në sallën “1 Tetori” në kryeqytet.