UBT News

Osmani kërkon nga ambasadorja izraelite heqjen e vizave për kosovarët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadorja e parë e shtetit të Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.

Osmani kërkoi nga Ziv mbështetjen e Izraelit në fushën diplomatike, gjegjësisht në fitimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata dhe iniciativa ndërkombëtare.

Ajo gjithashtu kërkoi që Izraeli t’i heqë përfundimisht vizat për shtetasit e Kosovës, gjë që do ta mundësonte rritjen e turizmit nga të dy vendet

E para e vendit ka rikujtuar raportet miqësore me popullin izraelit edhe përpara vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

“Populli i Kosovës ka hapur dyert dhe zemrat për popullin hebre në ditët më të vështira, e sot, qëndrojmë të gatshëm të thellojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat, përfshirë ekonominë, sigurinë, inteligjencën, shëndetin dhe arsimin. Bashkëpunimi ndërshtetëror do të thellohet tutje”.

Memorializimin e viktimave të Holokaustit, Osmani e ka cilësuar si një mësim, të cilin mund ta marrë Kosova nga Izraeli për t’i kujtuar viktimat e luftës dhe për t’i shqyrtuar mundësinë e mbështetjes dhe bashkëpunimit në këtë drejtim.

Ambasadorja Ziv e falënderoi presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për mbështetjen ndaj popullit hebre në ditët më të errëta e deri më sot, si dhe përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, duke shprehur gatishmërinë për thellim të raporteve në të gjitha fushat.

Ajo përmendi hapat e ndërmarra deri më tani, duke përfshirë thellimin e bashkëpunimit në energjetikë, kulturë, turizëm, rritjen e këmbimeve tregtare, shtimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe memorializimin e luftës.

Exit mobile version