Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë ka bërë thirrje për forcimin të koordinimit dhe bashkëpunimit në mes të dyja vendeve.
Osmani nga foltorja e Kuvendit të Kosovës po ashtu kërkoi nga Kosova dhe Shqipëria që ta ngritin zërin për shkeljet e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Medvegjë, Preshevë e Bujanoc.
E para e vendit, Vjosa Osmani u shpreh se Shqipëria dhe Kosova duhet të ndërtojnë bashkëpunim më të madh e koordinim më të shpeshtë.
“Prosperiteti i Kosovës dhe Shqipërisë është detyrë që na përket të gjithë liderëve, institucioneve dhe gjithsecilit qytetar. Secili prej nesh duhet ta luaj rolin e tij në avancimin e vizionit të shteteve dhe të qytetarëve tanë brenda familjes së kombeve evropiane. Lidhja ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është e rrënjosur në histori në sakrifica të panumërta dhe në një vizion të përbashkët për të ardhmen. Kjo lidhje nuk është thjesht simbolike, është një themel i pathyeshëm mbi të cilin duhet të ndërtojmë bashkëpunim më të madh e koordinim më të shpeshtë. Shqipëria dhe Kosova nuk janë vetëm dy shtete të pavarura, por janë dy pjesë të pandashme të një kombi të madh, të bashkuar nga një histori e lavdishme dhe një e ardhme e ndritur që po ndërtohet dita-ditës”, tha ajo.
Presidentja Osmani duke shprehur angazhimin e Kosovës për integrimin në Bashkimin Evropian, uroi Shqipërinë për suksesin e saj në negociatat me BE-në.
Osmani tha se padrejtësitë ndaj Kosovës sa po vijnë dhe po rriten dhe për t’i tejkaluar këto pengesa, vendit i duhet mbështetja e Shqipërisë.
“Fatkeqësisht pengesat me të cilat përballet Kosova në këtë rrugëtim janë tejet të mëdha, padrejtësitë ndaj popullit të Kosovës sa vijnë e rriten. Për t’i tejkaluar këto pengesa suksesshëm na duhet mbështetja e vazhdueshme e Shqipërisë. Bashkimi Evropian do të jetë më i sigurt më i qëndrueshëm dhe më i plotë me shtetet tona si pjesë e tij. Anëtarësimi i Kosovës në NATO ndërkaq do t’i jap përfundimisht fund apetiteve hegjemoniste e destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës. Për të arritur këtë të ardhme të përbashkët është jetike që ne ta forcojmë vazhdimisht koordinimin, komunikimin e bashkërendimin ndërmjet dy shteteve tona. Në veçanti është me rëndësi unifikimi i politikës tonë të jashtme si dhe bashkëpunimi ynë në mbrojtje të pavarësisë së arritur me aq shumë sakrifica të Kosovës dhe sovranitetit të shtetit tonë. Po ashtu bashkëpunimi në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve pavarësisht ku jetojnë ata”, theksoi Osmani.
Nga Kuvendi i Kosovës, presidentja Vjosa Osmani bëri thirrje që të ngritët zëri për padrejtësitë që po u bëhen shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc i kanë sytë kah ne, atyre vazhdimisht u shkelen të drejtat në mënyrë flagrante përderisa bota demokratike po i mbyll sytë para këtyre shkeljeve. Ne duhet ta ngirisim zërin si kurrë më parë në mënyrë që të ndërpriten këto shkelje ndaj popullit shqiptar të cilët jetojnë në këto treva”, u shpreh Osmani.
Derisa për zhvillimet në Maqedoninë e Veriut për ligjin për gjuhët ajo tha se nuk duhet qëndruar të heshtur e as sy mbyllur para këtyre tendencave të qarta.
Para ligjvënësve kosovar dhe shqiptar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se një Shqipëri më e fortë do të thotë një Kosovë edhe më e fortë, një Kosovë më e suksesshme e ngrit edhe më lartë Shqipërinë.
“Kjo seancë e përbashkët parlamentare duhet të shërbej si një thirrje për veprim si një kujtesë së qëllimi ynë i përbashkët kërkon ambicie edhe më të mëdha edhe përpjekje më të palodhshme. Ne po jetojmë në një kohë të trazuar e cila kërkon bashkëpunim dhe qëllim. Për Kosovën dhe Shqipërinë kjo nuk është thjesht një zgjedhje, por një domosdoshmëri një Shqipëri më e fortë do të thotë një Kosovë edhe më e fortë, një Kosovë më e suksesshme e ngrit edhe më lartë Shqipërinë“, u shpreh ajo.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh po ashtu se “Shqipëria gjithherë ka qenë më shumë se një shtet motër dhe vazhdon të jetë shtyllë e fortë për Kosovën”.