Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se Kosova do të dialogojë me Serbinë vetëm për njohjen e ndërsjellë, dhe mbi të gjitha do të kërkojnë me ngulm që Serbia ta pranojë peshën e fajit historik.
“Ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, vetëm duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Mbi të gjitha, duke kërkuar me ngulm që Serbia ta pranojë peshën e fajit historik. A është Serbia e gatshme? Jo. Asnjë nga liderët serb nuk ishte I gatshëm të bëjë atë që bëri ish kancelari gjerman Willy Brandt para 50 vitesh, të kërkojë falje e të përkulet pra para viktimave që i shkaktoi ai regjim, të bëjë atë që bënë një qenie njerëzore, kur dhimbja nuk mund të përshkruhet me fjalë. Por jo, sot Presidenti serb vazhdon të glorifikojë Millosheviqin përderisa nuk ka vendosur as një lule, e lëre më një pllake përkujtimore tek varrezat masive në Batajnicë e gjetiu në Serbi; sot kryetari i kuvendit serb kërkon nga serbët mos të tregojnë vendndodhjen e varrezave masive me shqiptarë dhe i kërcënon ata; sot kryeministrja serbe, i quan njerëz të zbritur nga mali ndërkaq Kosovën e krahason me Nagorno Karabakh”, deklaroi ajo mes tjerash./UBTNews