Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) sot ka mbajtur konferencën me temën “Dita e hapur globale e Kombeve të Bashkuara për gratë, paqen dhe sigurinë”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se në Kosovë më 22-23 tetor do të mbahet forumi për gratë në paqe dhe siguri.
Osmani tha se institucionet aktuale e kuptojnë rëndësinë e integrimit të fuqizimit të grave dhe vajzave në çdo sektor e strategji pa dallim.
“Integrimi i vajzave dhe grave është një synim i përditshëm dhe këtë mund ta arrijmë kur garantojmë barazi në të gjitha fushat… Ne e kuptojmë se ky mund të jetë rrugëtim i gjatë dhe i vështirë por vullneti ekziston dhe vizioni gjithashtu. Ne kemi nevojë për më shumë gra në pozita udhëheqëse. Gratë mund ta bëjnë këtë, shoqëria jonë ka nevojë për këtë”, tha ajo.
Kurse, Caroline Ziadeh përfaqësuesja speciale e Sekretariatit të Përgjithshëm tha se pjesëmarrja e grave kontribuon në shoqëri demokratike dhe zhvillim përfshirës e ngritje të paqes të qëndrueshme.
Ulrika Richardson koordinatore e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim tha se 22 vite po flasim për rezolutën e këshillit të sigurimit dhe ende jemi duke folur dhe në të vërtetë nuk po i shohim rezultatet jemi shumë larg por duhet të shtyjmë përpara.
“Ballkani Perëndimor ka zgjedhur paqen si rrugë të vet dhe nuk ka kthim prapa por për këtë udhëtim drejt avancimit të ecjes i duhen gratë, ato duhet të jenë pjesë e udhëtimit. Kam qenë e impresionuar nga katër vitet nga cilësia dhe vendosmëria dhe pasioni i lëvizjes së grave në Kosovë dhe rajon”, tha ajo.