UBT News

Osmani inkurajon viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës të aplikojnë për njohje të statusit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk duhet të kenë afat të kufizuar për aplikim për njohjen e statusit dhe të drejtave të tyre. Megjithatë, ajo ka mirëpritur zgjatjen e afatit për aplikim për dy vjet shtesë.

Sipas Osmani, është me rëndësi që kurdo që miratohen ndryshimet e ardhshme, afati aplikimit të jetë i pakufizuar.

Lidhur me këtë, ajo ka shkruar pas një takimi që ka zhvilluar me anëtarët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës.

“Presidentja Osmani vlerësoi zgjatjen e afatit për aplikim për dy vite shtesë, por potencoi se është më rëndësi që kurdo që miratohen ndryshimet e ardhshme, afati i aplikimit të jetë i pakufizuar. Ajo shtoi se krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, e gjenocidi nuk janë krime që mund të parashkruhen, prandaj edhe viktimat e këtyre krimeve të kryera nga regjimi i Millosheviqit duhet të kenë afat të pakufizuar për të parashtruar kërkesat për njohjen e statusit dhe të drejtave të tyre”, është bërë e ditur në komunikatën e Presidencës.

Aty gjithashtu është theksuar se Osmani ka inkurajuar viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës të aplikojnë për njohje të statusit në komisionin shtetëror.

Ndër të tjera, Osmani ka ritheksuar rëndësinë e ngritjes së vetëdijes për të drejtat e viktimave të luftës, të cilat ende ballafaqohen me stigmatizim dhe mungesë të drejtësisë.

Javën e kaluar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin që vazhdon edhe për dy vjet afatin për aplikim për njohjen e statusit për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Exit mobile version