Presidenca ka dhënë detaje lidhur me takimin që ka pasur dje Presidentja Vjosa Osmani me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Në këtë takim është diskutuar për pjesëmarrjen e Osmanit në aktivitetet në kuadër të Samitit të NATO’s, takimet e saj me zyrtarë të lartë amerikanë, dhe “hapat konkret që duhet të ndërmerren në vijim sa i përket koordinimit të veprimeve në dobi të interesave të Kosovës dhe të partneritetit me SHBA-të”.
Osmani i ka shprehur Hovenierit shqetësimin për vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për t’ua hequr regjimin e vizave qytetarëve të Kosovës që posedojnë pasaporta ilegale serbe.
“…duke theksuar se ky vendim ndikon negativisht në shtrirjen e sundimit të ligjit në gjithë Kosovën si dhe atakon përpjekjet për integrimin e komunitetit serb në Kosovë. Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe për një sërë nismash ligjore që po trajtohen nga institucionet kohëve të fundit, me ç’rast konfirmuan rëndësinë që të garantohet respektimi i parimeve demokratike dhe standardeve më të larta për të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftim.