Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, nuk është në dijeni se çfarë do të diskutohet në Bruksel, por ka thënë se atje nuk duhet të diskutohen çështjet e sovranitetit të vendit.
“Delegacioni atje e di se disa tema nuk do të diskutohen, siç nuk munden të diskutojnë për çështje që ka të bëjë për sovranitetin e vendit, që ka të bëjë me territorin e vendit dhe assesi nuk guxojnë të rrezikojnë funksionalitetin e brendshëm të Kosovës.
Prandaj këto janë vija të qarta të kuqe dhe kushdo qoftë e ka për obligim t’i respektojë. Kurse sa u përket temave specifike meqenëse nuk kemi njoftim zyrtar si Kuvend se cilat do të jenë temat është vështirë të përgjigjem për pritshmërinë”, tha Osmani.
Osmani ka folur edhe për marrëveshjet e arritura në SHBA, duke shtuar se më shumë janë dhënë zotime.
“S’kam çfarë them më shumë se atë që e kam deklaruar për atë marrëveshje ose zotim mes palëve, megjithatë ato çfarë i kamë thënë nuk kam çfarë të deklaroj më shumë”, tha ajo.
Osmani foli edhe për deklaratat e kryeministrit Avdullah Hotit, i cili ka thënë se ajo do të pendohet për veprimet e saj. Ajo e ka quajtura arrogant kryeministrin Avdullah Hoti, raporton EO-ja.
“Zoti Hoti nuk e di çfarë flet dhe kjo qasja arrogante e tij është për te ardhur keq siç është një kryeministër vendit dhe nëse i kthehemi mbrapa historisë do ta shihni se sa herë kam qenë kundër një gjëje, zoti Hotit dhe shokëve të tij u janë dashur gjashtë vjet dhe pastaj kamë ardhur aty ku kam qenë unë.
Kur unë e kritikoja koalicionin me PDK ata e përkrahnin pastaj erdhën të fjalët e mia, unë e kritikoja zgjedhjen e presidentit, ata e përkrahnin dhe pastaj erdhën të fjalët e mia”, tha Osmani.