Komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë sot se FSK po lëviz me shpejtësi drejt zhvillimit të aftësive të specializuara.
Sipas saj, sot po shënohet një moment historik për Kosovën dhe komandën e gardës kombëtare të FSK-së. Kështu është shprehur ajo në përmbylljen e ushtrimit ndërkombëtar “Kosova Resolve 2023”.
“Unë qëndroj para jush e impresionuar dhe me krenari absolute për punën e shkëlqyer që ka kryer ekipi ynë i kërkim-shpëtimit së bashku me kombet partnere, pra, kjo është një ditë e madhe me të vërtetë. Qendra Ndërkombëtare e Trajnimit të Kërkimit dhe Shpëtimit të Kosovës vazhdon të bëjë përparime të mëdha brenda Kosovës në nivel ndërkombëtar. Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Qendra Ndërkombëtare po lëvizin me shpejtësi drejt zhvillimit të aftësive të specializuara. Ne jemi të bindur se do të kontribuojnë gjithnjë e më shumë në përpjekjet ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë, ndërsa ne vazhdojmë të ecim në rrugën drejt anëtarësimit në NATO. Pra, sot shënojmë një tjetër moment historik për Kosovën, komanda e Gardës Kombëtare të FSK-së dhe Qendra Ndërkombëtare e Trajnimit të Kosovës me përfundimin e kësaj dite të pestë të Ushtrimit Ndërkombëtar të Kërkimit dhe Shpëtimit “Kosova Resolve 2023”, i cili u krye në bashkëpunim me Asociacionin Evropian të ekipet vullnetare të mbrojtjes civile “EVOLSAR”, ka thënë Osmani.