Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qëndruar për vizitë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Fillimisht ajo është pritur në Ministri të Mbrojtjes nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ka vazhduar vizitën e saj në Shtabin e Përgjithshëm.
Pas vizitës në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani tha se kanë diskutuar për zhvillimet në rajon dhe për kapacitetet dhe planet strategjike të Forcës.
“Edhe në dritë të zhvillimeve të fundit në Evropë kemi diskutuar zhvillimet në rajon, të gjitha kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të gjitha planet strategjike dhe dokumentet strategjike më të cilat po punohet si dhe për dinamikën e shtuar në bazë të së cilës FSK është duke punuar që nga emërimi i komandantit të ri. Biseduam edhe për partneritetit tonë strategjik me shtetet aleate, në veçanti me SHBA, FSK çdo ditë po i rrit kapacitetet e veta operacionale dhe ato ndërvepruese me NATO-m në këtë organizatë ku FSK e ka vendin dhe për ku po punojmë bashkërisht që sa më parë të kemi fillimisht anëtarësimin në Partneritetin për Paqe e pastaj në përputhje me planin e tranzicionit dhe me përkrahjen që do ta kemi nga miqtë tanë për anëtarësim në NATO”, tha Osmani.