Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar për media lidhur me Marrëveshjen e Ohrit të arritur një vit më parë mes Kosovës dhe Serbisë.
Duke iu përgjigjur gazetarëve, ajo tha se është e ditur që Serbia i ka shkelur të gjitha rregullat e kësaj marrëveshje. Osmani ka kërkuar që të ketë marrëveshje të barabartë si për Kosovë ashtu edhe për Serbinë, e jo që për Kosovën të mendohet më vonë.
“Mjafton që të lexohet marrëveshja dhe të shikohen veprimet e palëve dhe të arrihet në një përfundim komplet objektiv. Serbia ka shkelur me dhjetëra herë këtë marrëveshje e cila qartë i kërkon që të mos shkel integritetin territorial të Kosovës që të njoh subjektivitetin ndërkombëtarë dhe parimin e barazisë së palëve. Që të mos të votojë kundër Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare që të mos përdorë dhunë në relacione ndër shtetërore e shumë parime tjera. Edhe nenet e fundit të asaj marrëveshje kërkojnë që të zbatohen të gjitha marrëveshjet paraprake, nga përmbledhja e Bashkimit Evropian, Serbia nuk i ka zbatuar më shumë se gjysmën e marrëveshjeve të cilat janë nënshkruar në këtë 12 vjeçar e më shumë të dialogut Kosovë-Serbi…. Është e qartë se cila është pala që po i shkel marrëveshjet e saj. Ajo që duhej të ndodhte në ketë periudhë dhe nuk ka ndodhur dhe do të lehtësonte zbatimin e plotë të kësaj marrëveshje është mungesa e një plani të zbatimit i cili është ende duke u hartuar në Bruksel, sepse nuk ka pasur pajtim të plotë dhe unë si presidente kam qenë kundër një plani që më është propozuar, sepse ka paraparë që shumica e përfitimeve që i ka Serbia nga ky plan të jenë në fillim te zbatimit kurse ato të Kosovës të vijnë në fund, nuk ka pasur balanca as zbatim paralel sipas atij plani sekuencues siç e quan Bashkimi Evropian. Kërkoj që të ketë trajtim të barabartë të palëve që plani të ketë parasysh si Kosova dhe Serbia të zbatojnë në mënyrë paralele të gjitha obligimet e tyre e jo që njëra palë të ketë të gjitha përfitimet në fillim e për Kosovën te mendohet më vonë, Kosovës t’i thuhet prit edhe pak, jep edhe më shumë, jep edhe me shumë dhe kjo nuk është strategji e cila ka sjellë më shumë paqe, por përkundër vetëm ka inkurajuar Serbinë që të shkojë deri tek më ekstremja siç është 24 shtatori”, tha Osmani.
Këto komente Osmani i bëri pas takimit me kryetarin e komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti. Ndërkaq, Osmani e pyetur për çështjen e dinarit, ajo tha kjo çështje urgjent duhet të arrihet dhe është e mirëseardhur që nesër në Bruksel të përfundojë.
“Deri tani ka pajtim për një pjesë të propozimit dhe nuk ka pajtim për një pjesë tjetër. Është pozitive që komuniteti ndërkombëtarë me SHBA pajtohen që mos te ketë qarkullim të dinarit më në Kosovë. Me ndihmën e tyre kemi arritur që me ato dërgesa dhe ato ndihma financiare të arrijnë në euro dhe jo në dinarë….. Për zbatimin e plotë të Kushtetutës në praktikë neve na duhen aleatë në krah, por për pjesën e dytë që nuk ka pajtim por unë jam shpresëplotë që edhe te ajo pikë do të arrijmë shumë shpejtë. Sot duhet të sigurohemi që çdo ndihmë financiare mos të shkojë më duart e personave që kanë abuzuat dhe i kanë marrë paratë në emër të qytetarëve dhe i kanë shfrytëzuar për krim. Për atë pjesë është duke u hartuar një plan dhe do të përfshijë institucionet e Kosovës, për këtë çështje unë jam e bindur se do të arrihet, por është e domosdoshme që të arrihet, më e mira do të ishte që të arrihet në Bruksel, nesër në takim pra do të ishte e mirëseardhur që ky pajtim të arrihej në Bruksel dhe nëse jo aty është urgjente të zgjidhet”, shtoi Osmani.
Po ashtu, presidentja Osmani ka komentuar qasjen e qeverisë me partnerët ndërkombëtarë. Ajo tha se punët e mëdha Kosova duhet t’i bëjë bashkë me aleatët ndërkombëtarë.
“Ne nuk duhet të harrojmë përkrahjen e aleatëve ndërkombëtarë, sepse nuk ka qenë vetëm përkrahje e njëhershme vetëm në vitin 1999, por çdo hap përpara që Kosova e ka bërë, e ka bërë bashkë me aleatët euroatlantik dhe ne duhet të qëndrojmë në këtë rrugë. Punët e mëdha gjithmonë i kemi bërë bashkë dhe tash e tutje duhet t’i bëjmë bashkë”, shtoi Osmani.